E Diel, 1 Nëntor 2026

Vepra Verdiano-Shekspiriane Falstaff zbret në skenën e operës

Vepra është cilësuar si një nga më të vështirat në repertorin operistik botëror
Vepra Verdiano- Shekspiriane Falstaff, e cilësuar nga kritika botërore, si vepra që çeli epokën e shekullit XX, do të ngjitet sonte si premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Regjisori i kësaj shfaqje, Nikolin Gurakuqi, duke e cilësuar këtë vepër si një margaritar, tha se premiera Verdiano-Shekspiriane mund të konsiderohet një ngjarje historike në jetën artistike, duke shtuar se: kam mbi 10 vjet që e njoh këtë vepër dhe prej kohësh e kam ëndërruar vënien e saj në skenë. Sipas regjisorit Gurakuqi Falstaff është një ndër veprat më të bukura që janë realizuar deri më sot. E cilësuar nga kritika botërore si vepra që çeli epokën e shekullit XX, Falstaff do të vijë në skenën shqiptare në një skenografi të realizuar po nga Gurakuqi, i cili pohon që shfaqja do të jetë plot zhdërvjelltësi skenike dhe mizanskena. E gjithë vepra luhet në tempo ritmin alegro vivaçe, gjë e cila kërkon jo vetëm përgatitje të lartë vokale nga interpretuesit, por dhe përgatitje të lartë nga ana aktoriale. Falstaff është një komedi që mbështetet mbi fjalën. Ajo nuk është një vepër e mirëfilltë operistike me numra muzikor të mbyllur, por është e gjitha e bazuar mbi dialogun dhe nuk ka ndarje mes pjesëve. E kompozuar nga Xhuzepe Verdi në vitin 1893, Falstaff pritet të sjellë risi si në konceptimin muzikor, ashtu dhe në libret. Kjo vepër bazohet në komedinë e Shekspirit Gratë gazmore të Uindsdorit, detaj që e bën edhe më të veçantë. Filozofia e shfaqjes shprehet në fund të veprës, kur interpretuesit të revoltuar nga ngjarjet thonë: Çdo gjë në botë është mashtrim, njeriu ka lindur mashtrues, mashtrues, mashtrues! Një tjetër e veçantë e kësaj shfaqjeje është se Falstaff konsiderohet si vepra e fundit e kompozuar nga Xhuzepe Verdi mbi libretin e Arrigo Boitos. Premiera e parë e saj u dha në skenën e teatrit La Scala të Milanos në vitin 1893. Që kur Boito i propozoi Verdit subjektin e ri shekspirian, Falstaff ishte i realizueshëm, pa lodhje, pa dhimbje, deri tek suksesi që rrëmbeu e fundit e mrekullueshme opera e maestros 80-të vjeçar në La Scala. Prej atij momenti opera zuri në mënyrë të qëndrueshme skenat e gjithë botës. Për këtë vepër regjisori ka përzgjedhur në trupën e interpretuesve Vikena Kamenicën, Dorina Selimaj, Shpresa Bekën, Eriona Gjyzelin, Armand Likaj, Sonila Oshafi, Klodiana Laze, Roel Llupo, Gilmond Myftari, Denis Skura, si dhe të ftuarit e shfaqjes Cengiz Sayin, Dobromir Tzvetanov, Sahap Cuneyt Unsal dhe Deniz Denözhür. Një prej roleve kryesore atë të Megut regjisori Gurakuqi i ka besuar zërit të talentuar të skenës operistike mexosopranos Vikena Kamenicës, e cila tregon se Falstaff është një ndër veprat më të bukura të këtij kompozitori, të cilin ajo e quan sfidues. Është një ndër nga veprat më të bukura do të thosha të Verdit, sepse nuk mund ta specifikoj si më e bukura. Është një vepër komike nga ai dhe nuk është se ka eksperimentuar shumë me veprat komike, dhe po flasim për një nga komeditë më të bukura të Shekspirit dhe që ka një lloj virtuoziteti shumë të veçantë Verdian, i cili është gjithmonë shumë sfidues, shumë interesant dhe shumë spektakolar si për vetë artistët ashtu dhe për publikun. Është një sfidë e veçantë për teatrin, për këngëtarët  si dhe një premierë shumë e bukur dhe një gjë e re për gjithë publikun shqiptar, tregon Kamenica. Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në kjo shfaqje do të vijojë dhe në datat 26, 28, 29, 31 maj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›