Vepra e Gjelosh Gjokajt
Krijimtaria e Gjelosh Gjokajt, e përqendruar kryesisht në pikturë, grafikë dhe vizatim, përbënë një opus tërësor artistikë, por që ndahet në disa faza zhvillimore estetike dhe stilistike, që kanë dallueshmëri të qartë. Kjo tregon se botëkuptimet dhe qasjet e tij kanë ndryshuar gjatë gati 6 decenieve të punës kreative.
Ashtu sikur që jeta e tij ndahet në disa faza (rinia në Milesh afër Tuzit në Mal të Zi, studimet në Kosovë dhe Beograd, puna pedagogjike në Prishtinë, pastaj 14 vjet në Romë dhe nga vitet ’80 në Ausburg të Gjermanisë), ashtu edhe vepra e tij ka prerje të hetueshme. Si një nomad modern që i bredhte poshtë lartë relacionet mes Ballkanit, Mediteranit, Apenineve dhe Bavarisë, Gjokaj do të kërkonte dhe zhvillonte një profil artistik me karakteristika të përbëra, nga njëra anë profil dinamik dhe kërkues, dhe nga ana tjetër i fiksuar në tema identitare dhe të individualitetit, që nëse nuk ishin me figura dhe imagjineri statike, atëherë fokusoheshin në ca përshtatje lëvizëse.
Në fazën e hershme Gjokaj preferonte figuracionin simbolik me kompozicione që dukeshin si inventar i një bote të alienuar dhe të teknicizuar, gërshetuar edhe me ca reminishenca të botës idilike të rinisë së tij. Më vonë, në ciklin Ditari i Romës (fundi i ’70 – fillimi i ’80), figuracionin e lëviz drejt kolazhit kakafonik të urbanitetit modern, me insertime tituj gazetash dhe ndonjë “grafit” domethënës (p.sh. “Atëherë, çfarë jam unë?”).
Nga mesi i viteve ’80 Gjokaj realizon një seri pikturash me figura të shpendëve grabitqarë që kacafyten mes veti, ku shihen mekanizmat alienues si mbetje nga faza e parë, por që kompozicionin e çojnë në abstraksion gati të pastër, ku konflikti vizual nuk i ngjason më një narativi përrallor të luftës së gjelave, por e sfidojnë piktorin që të gjej imazhe eidetike të abstraksionit puro, si konflikt formash, të dritës dhe errësirës, dhe mes ngjyrave të ndryshme. Në fazën e fundit nga vitet ’90 e deri në veprat e fundit, ky koncept i abstaksionit puro, dominon në veprën e Gjokajt në variante të ndryshme.
Këto faza në veprën e Gjokajt nuk i detyrohen asnjë mode dhe stili internacional. Në esencë ndryshimet te ky piktor janë të motivuara nga eksperiencat dhe impulset personale, nga një thellim gjithnjë e më i madh i tij në sfidën e lirisë së brendshme të kompozimit piktural, që nuk ka më para vetës asnjë narrativ dhe reprezentim të jashtëm. Imazhet që krijon janë lojë dhe refleks i disponimeve të brendshme, ku kryesisht shfaqet harmonia dhe disharmonia në konditat e një pajtim eternal me fatalitetin e eksperiencës individuale që është e lirë, por e fragmentuar.