Kujtohet Kodra
Në kujtim të tij, fondacioni Ibrahim Kodra ka organizuar një takim në shtëpinë muze të piktorit, në Milano. Miq dhe dashamirë të artit të tij janë takuar atje për ta kujtuar Kodrën dhe për të shijuar veprat e ekspozuara në shtëpinë ku jetoi.
Kubisti i fundit, Ibrahim Kodra, vdiq në moshën 88-vjeçare, në shtëpinë e tij në Milano, ku jetonte në 30 vitet e fundit të jetës. Kodra lindi në Ishëm të Durrësit, në vitin 1918. Akademinë e Arteve të Bukura e përfundoi në Brerës, derisa ka ekspozuar në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd dhe New York. Kjo i krijoi mundësinë që të krijonte raporte me shumë piktorë të mëdhenj, si Pikaso, Chagal, Matis, Fontana, Guttuso, por edhe me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë, si Montale dhe Sereni, Bertoni e Munari, ose Marotta.
Në vitin 2003, në Galerinë Kombëtare të Arteve Kodra solli para publikut dimensionin realist të tij. Për shkak të mbylljes së Shqipërisë, Kodra për artistët shqiptarë, në Shqipëri dhe në Kosovë, ishte shndërruar në një legjendë të postkubizmit.