Gjëegjëzë
Edmond Tupja
Dihet që gjëegjëzat pasqyrojnë jetën e përditshme të një populli, të një shoqërie. Ekzistojnë botime gjëegjëzash shqiptare, leximi i të cilave na mëson shumë, ndër të tjera, për mënyrën sesi gjyshërit tanë e analizonin realitetin përreth. Meqë sapo përmenda gjyshërit tanë, më bie ndër mend një gjëegjëzë që ma ka thënë im gjysh e që nuk e paskam harruar: “I pasuri i mbledh, i varfri i hedh”. Të më falë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime, por unë nuk do t’ia jap menjëherë përgjigjen e pritur, ndonëse do ta ndihmoj që ta gjejë vetë atë. Le ta nisim me disa hamendësime të thjeshta: A thua të jenë paratë? Dihet që i pasuri i mbledh ato me punë apo në ndonjë mënyrë tjetër, të ndershme ose edhe të pandershme. Nga ana tjetër, nuk ma do mendja që i varfri t’i hedhë; edhe ai përpiqet t’i mbledhë me djersën e ballit, por, nganjëherë, edhe me pak hile, duke ndjekur shembullin e më të pasurve, sidomos në Shqipërinë tonë paskomuniste e parakapitaliste njëkohësisht. A thua të jenë rrobat? I pasuri, ka shumë të ngjarë, i mbledh me shumicë se i ndërron si mbreti gratë (do të thoshte im gjysh; në fakt si mund të aktualizohet kjo shprehje në Shqipërinë e sotme pa mbret, por, gjithsesi, me titullarë të lartë institucionesh e strukturash tejet të rëndësishme?), por ama edhe i hedh ose i fal (dëshmojnë firmat Gabriela ose Gaby & Company); sidoqoftë, i varfri nuk i hedh kurrsesi se i ka me pakicë.
Meqenëse lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime ende nuk po e gjen përgjigjen, po rrekem t’i vë në dispozicion disa elemente që mund ta ndihmojnë. I pasuri i mbledh dhe i fut në xhep, kurse i varfri i hedh ku të mundë, herë pa çarë kokën nëse e shohin apo jo të tjerët, herë duke u përpjekur të mos bjerë në sy se i vjen pak si zor. I pasuri i mbledh pa bërë zhurmë ose duke bërë sa më pak të jetë e mundur, sidomos në mjedise zyrtare, në ceremoni presidenciale, kryeministrore, ministrore etj., etj., në ceremoni martesore apo mortore vipash, në mbrëmje gala, në tubime përurimesh, në mbledhje përkujtimore, në festa përvjetorësh deputetësh apo biznesmenësh etj., etj. Ku i mbledh i pasuri, qoftë ai në pozitë apo në opozitë? Në ca lloje kuletash apo portofolësh prej cohe (pambuk, ndoshta edhe mëndafsh, madje edhe letër), të cilët i fut menjëherë, me njëfarë ndjenje të lehtë faji, në xhep të pantallonave apo të xhaketës. Po i varfri, qoftë ai me simpati rozë apo blu, ku i hedh? Ku të mundë, me ose pa kompleks inferioriteti, majtas apo djathtas, asnjëherë lart, asnjëherë horizontalisht si i pasuri, por gjithmonë poshtë plot besim te forca e rëndesës. Kur i mbledh i pasuri e kur i hedh i varfri? Zakonisht në stinën e dimrit, në periudha gripi e ftohjesh, ose kur ndërron moti, sidomos në pranverë, stinë alergjish; por kjo mund të ndodhë edhe në momente emocionalisht të ngarkuara, për mirë apo për keq qoftë.
Ende nuk po i bie në të, lexues i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime, se për çfarë bëhet fjalë? Atëherë po të jap edhe një element të fundit për të të ndihmuar: Ndonjëherë, në të rrallë, të pasurit mund t’i qëllojë të veprojë si i varfri, pra t’i hedhë, sigurisht në vende ku ai është më se i sigurt që nuk e sheh askush, ndryshe shpalos përpjekje mbinjerëzore për t’i mbajtur aty ku i vijnë pa bërë më të voglën zhurmë.
Lexues i dashur, ti tashmë e ke nuhatur se selia (më shumë rozë sesa blu) e atyre që i pasuri i mbledh, kurse i varfri i hedh, është te koka e njeriut, më saktë, tek hunda, por edhe te goja e tij. A e kupton tani se për çfarë bëhet fjalë?
Së fundi, natyrisht e logjikisht – pra, me të drejtë – shumëkush mund të më pyesë: Po ti vetë, more zotëri, i mbledh apo i hedh? Përgjigjja ime është: Ejani të më shihni. Veçse një gjë duhet ta dini: Ka raste kur vërtet më vjen t’i hedh si i varfri, por jo poshtë, në tokë, rrugë apo trotuar; do të më pëlqente t’ua hidhja me vrull e tërsëllimë disave në fytyrë sepse e meritojnë një gjë të tillë. Megjithatë, këta persona le të mos shqetësohen fare: nuk do t’ua hedh. A e merrni me mend pse? Sepse nuk dua t’i bëj pis me fytyrën e tyre!