E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ischinger: Nxisni serbët pro BE

Wolfgang Ischinger, ish-diplomati gjerman në treshen e fundit të negociatave Serbi-Kosovë, ka deklaruar se për Kosovën nuk sheh asnjë alternativë tjetër përveç pavarësisë dhe se në Serbi duhen ndihmuar forcat proevropiane. 

Ischinger është pyetur nga “Deutche Welle” si një anëtar i Treshes së fundit ndërkombëtare që ndërmjetësoi negociatat dypalëshe Serbi-Kosovë, pasi Rusia, Kina dhe India kanë kërkuar në Këshillin e Sigurimit bisedime të reja dypalëshe, të refuzuara nga Kosova. Tashmë, drejtori i ri i Konferencës për Sigurinë në Mynih, Ischinger, pranoi hapur se nuk sheh alternativë tjetër për Kosovën, përveç pavarësisë. Si drejtori i ri i Konferencës për Politikat e Sigurisë dhe ambasadori gjerman në Britaninë e Madhe, Icshinger ka propozuar se serbëve u duhet mundësuar lëvizja e lirë pa viza. Në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian duhet të japë një kontribut për të forcuar forcat proevropiane pas zgjedhjeve të sapozhvilluara parlamentare në Serbi. Njëkohësisht ai theksoi qëndrimin e tij për një Kosovë të pavarur. Në Radion gjermane “Deutschlandradio Kultur”, ish-përfaqësuesi i BE-së në bisedimet e Kosovës tha se:  “Shumë persona në Gjermani dhe në vende të tjera evropiane nuk janë në gjendje të kuptojnë se një nga pasojat negative të zgjerimit të Bashkimit Evropian është që serbëve, që më parë mund të shkonin pa viza në vendet fqinjë, u duhet papritur tani që për një udhëtim të shkurtër matanë kufirit të kenë një pasaportë dhe një vizë”. Kjo u vështirëson jetën shumë serbëve. “Prandaj çështja e vizave është një çështje eminente politike”, thotë Ischinger. Me të mund të arrihet një efekt me vlera të mëdha simbolike tek populli serb. Në lidhje me futjen në fuqi në mes të muajit maj të Kushtetutës për një Kosovë të pavarur, Wolfgang Ischinger thotë: “Ashtu si dhe më parë unë mendoj se lëshimi i Kosovës në pavarësi, është i drejtë dhe se nuk ka alternativë tjetër përveç pavarësisë, por pavarësisë së mbikëqyrur. “Të gjitha thirrjet pesimiste për pasojat e tmerrshme që do të kishte pavarësia e Kosovës, u pa se ishin të padrejta”. Më tej, Ischinger deklaroi se, ai shpreson që të arrihet një kompromis midis Beogradit dhe Prishtinës. E dëshirueshme do të ishte arritja e një marrëveshjeje sipas modelit gjermano gjerman të arritur në vitin 1972 midis Republikës Demokratike Gjermane dhe Republikës Federale Gjermane. Kjo kërkon që Serbia të ketë një qeveri që vendos prioritetet e duhura, dhe që bazohet në krijimin e marrëdhënieve të përditshme me Kosovën “tek hapja dhe jo tek izolimi”.                                  (D.W.)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›