Kapet trafikanti me 4 klandestinë
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Tentoi të kalonte ilegalisht në Greqi katër klandestinë, arrestohet. Fitim Shyti u ndalua dje afër stacionit kufitar të Tri Urave bashkë me të rinjtë, të cilët pasi u morën në pyetje zbardhën edhe skemën e trafikut. Kundrejt fitimit prej 700 euro për çdo person, 31-vjeçari nga fshati Krahës i Tepelenës u kishte premtuar klandestinëve nga fshatrat e Fierit se do t’i çonte ata në territorin e shtetit fqinj. Ai është kapur nga shërbimet e policisë kufitare në aksin rrugor Përmet-Çarshovë. Pas hetimeve të kryera rezultoi se klandestinët ishin marrë nga Shyti me automjetin e tij që nga Fieri. Ata devijuan rrugën në drejtim të Përmetit, nga ku më pas 31-vjeçari do t’i përcillte ilegalisht drejt Greqisë. Shërbimet kufitare, të cilët ditët e fundit kanë përforcuar kontrollet, ndaluan mjetin me të cilin po udhëtonte trafikanti me katër të rinjtë. Policia iu kërkoi atyre dokumentet e identifikimit, si dhe të dhëna të tjera. Pas marrjes në pyetje në vend, ata u shoqëruan në ambientet e komisariatit të Përmetit për të kryer disa verifikime të mëtejshme. Kjo pasi efektivët që i ndaluan, dyshuan për një trafik të mundshëm, duke qenë se vetë klandestinët kanë qenë kontradiktorë në deponimet e tyre nga njëri-tjetri. Në hetimin e kësaj çështjeje nisën punën edhe specialistë të Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të paligjshme në Gjirokastër. Gjatë hetimit rezultoi se 31-vjeçari ishte autor i dhënies ndihmë të katër shtetasve për të kaluar kufirin shqiptar drejt Greqisë. Policia mori në pyetje edhe personat që ai do të trafikonte. Ata deponuan se i kishin paguar nga 700 euro për person deri sa t’i përcillte në brendësi të territorit fqinj. Pas deponimit të klandestinëve, policia e Gjirokastrës arrestoi për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit kundrejt fitimit, 31- vjeçarin Shyti. Fierakët kanë deponuar në polici se ishin nisur edhe herë të tjera drejt shtetit fqinj në tentativë për të kaluar kufirin. Policia tashmë po heton për mënyrën e organizimit dhe transportit të të rinjve. Kjo për shkak se dyshohet për ndonjë sekser të mundshëm të klandestinëve në Fier, i cili ka organizuar bashkë me personin nga Tepelena trafikun. Për efekt të hetimeve, policia nuk jep shumë të dhëna, por personat e shoqëruar mësohet se kanë deponuar me detaje të gjithë skemën se si kishin mundur të kontaktonin me trafikantin e tyre, deri tek organizimi për ditën e vendosjes së nisjes. Trafiku i klandestinëve drejt Greqisë, vijon me intensitet e po ashtu dhe kapja e organizatorëve të këtij trafiku ilegal nga ana e policisë gjatë ditëve të fundit në rajonin jugor. Tragjedia e ndodhur në Butrint, ku një varkë me 24 klandestinë u përmbys, duke shkaktuar vdekjen e 5 personave ka vënë në lëvizje shërbimet në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Shumica e klandestinëve të kësaj tragjedie ishin nga Fieri.
Nako: Do të forcojmë masat në kufi
TIRANE- Forcim të masave në kufi dhe saktësi më të madhe në intervistimin e të riatdhesuarve, si personave që mund të kthehen në kontigjent të trafikut klandestin dhe kontrabandimit të njerëzve. Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Kufirin dhe Migracionin, Pëllumb Nako, tha dje për gazetën “Panorama” se ata kanë kërkuar shtrëngimin e masave për kontrollin e kufirit, të akseve rrugore, si elementë të rëndësishëm në parandalimin e trafikut klandestin. Sipas tij, këta janë mënyrat e zakonshme të punës së policisë kufitare, për sa i përket bllokimit të trafikut të klandestinëve. Ndërkaq, sipas tij, është kërkuar shtimi i saktësisë së pyetjes së klandestinëve pas rikthimit të tyre.