E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria e vogël me talente të veçantë”

 

ANILA MEMA

Nicholas Payne, një ndër personazhet më të njohur të operës në  botë, do të jetë nesër në Shqipëri, si kryetar për të përzgjedhur më të mirin te “Marie Kraja”. Që prej vitit 2003, Payne është president i “Opera Europa”, ndërkohë për 27 vjet me radhë ka qenë drejtor i katër operave më të madhe të Britanisë së Madhe “Royal Opera Covent Garden” (Opera Mbretërore që nga viti 1968, më pas drejtori i përgjithshëm i “English National Opera”, (Operës Kombëtare të Anglisë), “Wells National Opera” (Opera Kombëtare e Uellsit) dhe “Opera North”, (Opera e Veriut), në Leeds. Prej dy vjetësh edhe Shqipëria është pjesë e kësaj organizate. Por çfarë tregon Payne për funksionim e “Opera Europe”, ç’përfiton Festivali i Vokalit Operistik nga kjo përfshirje në të, sa e njeh ai artin në Shqipëri dhe si i duken artistët shqiptarë nëpër botë.
Zoti Payne, kjo është vizita juaj e dytë në Shqipëri, si i ftuar special i Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik. A keni tashmë një opinion për artistët shqiptarë dhe operën shqiptare?
Ka shumë këngëtarë të rinj të talentuar. Një pjesë e tyre janë akoma në fazën e parë të zhvillimit të tyre dhe kanë nevojë për trajnim të mëtejshëm, por shpresoj se në të ardhmen, ata do të luajnë një rol të rëndësishëm dhe në rritje në operën evropiane.
Nga viti 2003 jeni President i “Opera Europa”. Çfarë përfaqëson kjo organizatë, cili është aktiviteti i saj dhe influenca që ajo ka?
“Opera Europa” është një organizatë e 110 kompanive dhe festivaleve operistike nga 33 vende të Evropës. Qëllimi i saj është që të inkurajojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave më të mira të anëtarëve. Dy herë në vit ne organizojmë dy takime të mëdha, gjatë të cilëve anëtarët mund të kryejnë shumë punë. Përpara një muaji p.sh., 200 pjesëmarrës nga vendet tona anëtare u mblodhën në Teatrin e ri të Operës në Oslo. Takimi i ardhshëm, i cili do të jetë edhe më i madh, është Forumi Evropian i Operës në Barcelonë në prill të vitit 2009. Influenca e organizatës sonë shtrihet edhe më tej nëpërmjet kontributit të ekspertëve në fushat e marketingut, ngritjes së fondeve etj.
Edhe Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik në Shqipëri është anëtar i “Opera Europa”. Çfarë nënkupton anëtarësia e tij në organizatën tuaj?
Ne ishim të lumtur që e mirëpritëm Shqipërinë në rrjetin tonë, dhe si rezultat në jetën evropiane operistike. Shpresojmë që festivali do të përfitojë nga kontaktet që ne ofrojmë për të rritur më tutje shkëmbimin e artistëve dhe mundësitë e ngritjes së fondeve.
“Opera Europa” është një rrjet anëtarësh që kanë mundësinë për të përfituar nga njëri-tjetri, për të mbështetur njëri-tjetrin, për të marrë pjesë në produksionet e njëri-tjetrit dhe për t’i përdorur këto produksione. A është përfshirë tashmë Shqipëria në këto procese gjatë kohës që është bërë anëtare e saj?
Meqenëse Festivali nuk është një veprimtari prodhuese, ai nuk ka marrë pjesë akoma në forumin tonë të bashkë-produksioneve. Por ne kemi përdorur të gjitha kanalet tona për të publikuar këtë ngjarje të Tiranës në një audiencë shumë të gjerë profesionale ndërkombëtare.
Lajmet më të fundit tregojnë se “Opera Europa” po vendos një dialog midis anëtarëve të saj me sektorin privat dhe Komisionin Evropian, në mënyrë që të mundësohen më shumë financime për prodhimet e tyre. Si po ecën kjo iniciativë?
Akademia jonë e “Ngritjes së Fondeve ka sjellë profesionistë me përvojë nga teatrot më të avancuara evropiane si ‘Covent Garden’ i Londrës, Opera e Parisit, Liceu i Barcelonës, apo Teatri Real i Madridit, për të punuar së bashku me kolegët e tyre me më pak përvojë, veçanërisht ata nga Evropa Lindore në dhënien e ekspertizës për ngritje fondesh. Aktualisht po zhvillohet një program për një ndihmë më konkrete në këtë drejtim. Ne kemi koordinuar edhe shkëmbime konkrete të individëve nga Praga, Riga dhe Vilniusi me fondet e Komisionit Evropian në kuadrin e programit “Leonardo da Vinçi”.
A keni kontakte me Teatrin Kombëtar të Operës e Baletit? Po ndonjë bashkëpunim me të?
Kur isha në Tiranë para një viti si kryetar i jurisë së festivalit operistik, pata një takim edhe me Zhani Cikon, drejtor i Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit, i cili më foli edhe për TKOB-in. Deri më tani ai nuk e ka vendosur që TKOB të jetë anëtar i organizatës sonë. Por unë e mbaj të informuar për të gjitha aktivitetet tona, dhe do të ishim të lumtur nëse Teatri Kombëtar i Operës Shqiptare do të vendoste të merrte pjese në to.
A keni pasur ndonjëherë kontakte me artistët shqiptarë që debutojnë në vendet e tjera?
Fillimisht kam ndjekur Inva Mulën gjatë një koncerti të fituesve të Operës në Paris me ftesë të Placido Domingos, dhe më pas e kam ndjekur karrierën e saj me admirim. Së fundi kam dëgjuar Josif Gjipalin në një performancë gala në Operën e Monte-Karlos. Ermonela Jaho ka shënuar një debutim triumfues në janar në rolin e Violetës te “Traviata” në Covent Garden. Unë do të vazhdoj të kërkoj talente të tjerë nga ky vend i vogël, por i veçantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›