E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet, reagojnë të burgosurit e Peqinit, kërcënojnë me grevë

 

PEQIN - Dhuna dhe abuzimi me të drejtat e të burgosurve në qelitë e Peqinit, të dënuarit kërcënojnë me grevë. Nëpërmjet një letre të dërguar në redaksi, të dënuarit pohojnë se u shkelen mjaft të drejta të tyre, madje edhe nga funksionarë të policisë së këtij institucioni. Sipas tyre, shpeshherë në qeli ushtrohet dhunë fizike dhe psikologjike, abuzohet me ushqimin si dhe keqtrajtohen familjarët e të dënuarve që shkojnë për të takuar të afërmit që ndodhen në qeli. Të burgosurit pohojnë më tej se abuzohet edhe me lejet që u jepen atyre për të shkuar pranë familjes. Në këtë burg, sipas tyre, nuk ka radhë për leje, por ato ndahen nga drejtues të policisë së këtij institucioni, sipas të burgosurve, në këmbim të ryshfeteve. Të dënuarit ngrenë si shqetësim faktin se kontrollorët e ushqimeve, me anë të një thike shpojnë të gjitha ushqimet që atyre u kanë sjellë familjarët. Me këtë thikë kontrollohen ushqimet e të gjitha llojeve dhe shijeve, duke bërë që shpeshherë kjo të bëhet shkak për kontaminimin e tyre. Arsyeja e kontrollit të imtë është futja e sendeve të ndaluara për t’i dërguar më pas tek të dënuarit. “Në burg ndodh diçka shumë e turpshme. Kur na vijnë familjarët në takim, sidomos femrat, zhvishen plotësisht dhe kontrollohen shumë turpshëm. Ka pasur shumë raste kur funksionarë të policisë së burgut kanë ngacmuar familjarët e të dënuarve, dhe kur të burgosurit kanë reaguar, ndaj tyre është ushtruar dhunë, duke iu thënë se zëri juaj nuk dëgjohet, sepse jeni njerëz të vdekur dhe do ju shkelim me këmbë”, thuhet në letrën e të burgosurve, të cilët kërcënojnë se nëse nuk merren masa për përmirësimin e gjendjes, atëherë rreth 130 të burgosur pritet të hyjnë në grevë urie. Abuzimi me të drejtat e të dënuarve ka bërë që disa herë njerëzit që ndodhen në qeli të përfshihen në greva urie apo protesta. Në letrën e dërguar në redaksi ata kërkojnë marrje të masave për të ndryshuar sjelljen e policisë së burgut ndaj tyre si dhe përmirësimin e kushteve përsa i përket vizitave të familjarëve dhe ushqimeve të dërguara në qeli. Është fakt se një pjesë e personelit të policisë së burgjeve është rekrutuar shumë vite më parë në detyrë dhe se nuk ka përfituar asnjë trajnim. Për këtë shkak ndodh që kjo kategori e punonjësve të policisë së burgjeve të krijojë incidente me të dënuarit.                        fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›