E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veprev: Teatri im zgjon trupin

Jeta e Shopenit nga teatri polak "Nikoli Theatre" shfaqet në Festivalin e Butrintit si një pikturë përmes lëvizjes, pantomimës dhe cirkut. Regjisori Mikolai Veprev tregon për një teatër ndryshe, pa buxhete të majme


Këto 20 vjet, Teatri "Nikoli" nuk ka përfituar asnjë dyshkë nga buxhetet që qeveria në Poloni jep për teatrin. E prapë arrin të mbahet në këmbë dhe ka një program të pasur aktivitetesh në Poloni dhe Evropë gjatë gjithë vitit.


Kjo falë regjisorit Mikolai Veprev (Mikoaj Ëieprieë), një burrë energjik rreth të 60-ve me plot ide për teatrin. Veprev solli në Festivalin "Butrinti 2000", "Net Shopeniane", shfaqje ku kombinohej pantomima, cirku me muzikën e Shopenit.


Ngjyrat verore të kostumeve që mbanin në trup tri aktoret Jucha Dominika Maria, Szymus Katarzyna Maria dhe Sabina Dorota Drag, tendat e bardha të vendosura përpara skenës, mjegulla artificiale që mbushte skenën e ngritur nën qiell të hapur në Kalanë e Lëkurësit, i dhanë mundësi publikut të shijonte një koncert të Shopenit, në një kohë që ky vit përkon me 200-vjetorin e lindjes së kompozitorit polak. Në intervistën për "Shekullin", Veprev flet për një teatër aktiv dhe jetëgjatë.


Z. Veprev, me "Net Shopeniane" ju gjetët rrugën më të shkurtër që muzika e Shopenit t'i fliste shpirtit të spektatorit?


Ne donim të rrëfenim influencën e Shopenit në kohën moderne. Jetojmë në shek. XXI dhe akoma mund ta ndiejmë ndikimin e tij te artistët bashkëkohorë. Ai vetë u frymëzua nga natyra. Të tjerë, të mbështetur tek Shopeni krijuan banda rroku, xhazi.

Në performancën tonë, kishte pjesë të luajtura me kitarë klasike, elektrike apo zëra natyralë që interpretojnë muzikën e Shopenit. Në kërkuam që muzika e tij të shijohej ndryshe nga koncertet klasike.


Donim të tregonim fuqinë e saj me gjuhën e trupit tonë. Sferat që "kompozitori ynë" hidhte në ajër dhe rrotullonte gjatë xhonglerimit janë si notat në muzikën e Shopenit. Dikush erdhi pas shfaqjes dhe më tha që në aktin e xhonglerimit dukej sikur ai po luante në piano. Jeta e Shopenit ishte një frymëzim për të krijuar këtë shfaqje.


Të jepte përshtypjen e një jete të shkurtër e të furishme...
Shfaqjet tona ndryshojnë nga ato të teatrit klasik. Nuk bazohen në histori të shkuara. U ngjajmë piktorëve. Shopen ka qenë artist shumë krijues.


Nuk shteruan kurrë idetë e tij për muzikën. Njëherë kur kishte mbaruar një pjesë për një koncert, në moment të fundit ai rikrijoi diçka të re dhe e përmbysi partiturën. Edhe jeta e tij është si muzika, plot me ndodhi: historia familjare, sëmundja, revolucioni, dashuritë, arratisja nga vendi i tij.


Ishin tri gra rrotull tij. Më e afërta me të, ajo që e frymëzonte më shumë, që qe e mbyllur brenda një kubi të ngushtë, a ishte Zhorzh Sand?


Ai ishte i rrethuar nga gratë. Po Dominika mund të mendohet si Zhorzh Sand dhe lidhja më të ka qenë e furishme po ashtu. Ishte një lidhje artistësh, jo shumë e qetë, me dashuri dhe urrejtje.


Në shfaqje ka një situatë kur ata janë bashkë, po Shopenin e ftojnë gra të tjera që kanë ardhur në koncertin e tij. Ai është me Sandin, por frymëzohet edhe nga gra të tjera. Hapësira ku ndodhet Sand është simboli i reflektimit të saj të brendshëm.


Ajo ishte shkrimtare, në kërkim të frymëzimit, të një mënyre për t'u arratisur nga bota e mbyllur, për të arritur tek njerëzit. Nuk kam për qëllim të flasë për persona konkretë në këtë shfaqje.


Dua vetëm të reflektohet ndjenja, emocioni, lidhja me dashuritë. Ajo figurë krijohet nga ndjenja që ai ushqen për të. Të trija gratë reflektojnë lidhje të ndryshme me kompozitorin, ashtu siç ishin muzat në antikitetin grek për Apollonin.


Shkathtësia e lëvizjeve, xhonglerimit dhe pantomima e arrirë, flisnin për një punë të madhe. Sa kohë ju është dashur për të mbërritur deri këtu?


Kjo performancë është si muzika e Shopenit. Ne akoma jemi duke e ndërtuar këtë shfaqje, nuk ka mbaruar, akoma po pastrojmë disa pjesë dhe po dalin ide të reja për lëvizjet. Kemi punuar ditë të tëra por ende jemi të kredhur në kërkimin artistik.


Si quhet teatri juaj?


Bëhet fjalë për një teatër që ka brenda lëvizjen, pantomimën, cirkun, xhonglerimin. Nga Teatri i Lëvizjes marrim lëvizjet e trupit dhe i ndërthurim me dancin bashkëkohor. Ne i përdorim të gjitha elementët për të krijuar këtë teatër. Këtu nuk ka një koreografi fikse.


Thelbi i këtij teatri është zgjimi i ndjenjave, lëvizjet karakteristike të trupit tek secili njeri që performon. Qëllimi im është të çlirojë trupin e aktorëve. Punoj në atë mënyrë që është tipike dhe karakteristikë për personin.


Nxjerr në pah më të mirën tek secili, të dhënat unike, punoj me to dhe ndërtoj karakterin që duhet për performancën. Për këtë arsye çdo lëvizje që ata bëjnë është natyrale.


Shfaqjet nuk ngrihen mbi një tekst dramaturgjik?


Performanca jonë e fundit është e bazuar mbi librin e Nabokovit, "Lolita". Është e vetmja performancë e bazuar mbi një tekst dramaturgjik. Historitë e tjera i kam krijuar vetë.


"Nikoli Theatre" funksionon vetëm me fonde private?


Nuk kemi asnjë mbështetje nga qeveria. Kjo është kompani private.

Si arrini të mbijetoni?


Nga performancat tona dhe festivalet. Ky është i vetmi burim. Ne nuk jemi të përqendruar në një vend, nuk luajmë për një audiencë te veçantë. Jemi gjithmonë në udhëtime në Poloni, Evropë, dhe ndonjëherë nëpër botë. Përfitimet që kemi nga biletat dhe festivalet nuk janë asnjëherë të mjaftueshme.


Kjo është një mënyrë e ndryshme të të bërit teatër dhe ka për qëllim të ndikojë te njerëzit, të japë të tjera ndjesi nga teatri klasik. Pasi mbarojmë performancat, njerëzit kanë dëshirë të zhvillojnë trajnime, të bëjnë këtë lloj teatri dhe na ftojnë.


Drejtoj në Poloni dhe jashtë saj grupe të rinjsh që nuk duan të punojnë me teatrin verbal, por edhe me lëvizjen dhe gjestet e trupit.
Ky teatër lidhet me fillesat e teatrit, me origjinën, si teatri "Noh" në Japoni dhe "Commedia dell Arte" në Itali.


Ndonjëherë është më e qartë kur aktori vjen në skenë me ca shprehi, lëvizje dhe bëhet më e qartë ç'lloj karakteri përfaqëson. Lëvizjet thonë më shumë se fjalët. Është një vazhdimësi e punës së regjisorit të njohur polak Grotovski dhe rusëve Mejerhold dhe Stanislavski.


Ku i keni studiuar teoritë e tyre?


Kam punuar me njërëz që kanë punuar me Grotovskin. Kurse metodën e Stanislavskit e kam mësuar në Akademinë e Teatrit në Rusi, ku kam studiuar. Kam takuar shumë njerëz që punojnë mbi këto përvoja dhe kam lexuar shumë. Kështu krijova idetë e mia sesi do të ishte "Nikoli Theatre".

Çfarë mendoni për teatrin e Stanislavskit dhe Grotovskit?


Stanislvaski bëri një revolucion në botën dramatike të teatrit. Përpara tij, aktorët thjesht pozonin në skenë. Stanislavski e largoi suflerin nga skena, dhe filloi të punonte me aktorët për të sjellë jetën në skenë.


Grotovski shkoi më larg. Punoi me anën e brendshme të aktorit. Ai kërkoi të zgjonte te ai atë energji që bën të mundur lëvizjen. Udhëtoi shumë në Meksikë dhe Afrikë dhe shpenzonte shumë kohë me njerëz të zakonshëm.


Pa nga afër ritualet e tyre, vallëzimet, mënyrën e tyre të të jetuarit. Por të kuptohemi, "Nikoli Theatre" nuk përsërit këto teori. Marr atë që kam nevojë nga puna dhe përvoja e këtyre njerëzve dhe ndërtoj një teatër me ide të reja.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›