Prokuroria, 20 vite burg për trafik armësh
Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje nga 10 vite burg për secilin të arrestuar për trafik armësh. Bujar Doku dhe Bashkim Dervina rrezikojnë një dekadë burg për trafikimin e pistoletave “Blown”. Sipas prokurorit të çështjes në 1 maj 2007, sekuestrohen në Tiranë 20 pistoleta “Blown” dhe 2 “Berreta”. Policia sekuestron edhe 200 gramë farë hashashi. Arrestohen Bujar Doku dhe Bashkim Dervina. Kurse në 30 mars të vitit 2008, arrestohen Glerjan Hyseni, Shkëlqim Gjoka, Adrian Moçka, Hysen Hyka. Sekuestrohen 9 mina me celular, një snajper -armë belg dhe një pistoletë me silenciator.
Trafik fëmijëve, ekstradohet nga Greqia i dënuari me 15 vite burg
TIRANË - Një 46-vjeçar nga Pogradeci, i dënuar në mungesë nga drejtësia shqiptare me 15 vjet burg për trafik të miturish, u ekstradua të martën nga Greqia. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se Fatos Kapllani u ekstradua si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol Athinën. Ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në aeroportin “Nënë Tereza”. Të njëjtat burime thanë se 46-vjeçari Kapllani në bashkëpunim me shtetasin Arben Osmani kanë trafikuar në vitin 2003 të miturin S. M., përmes pikës së kalimit kufitar në rrethin e Korçës. Mësohet se më 16 janar të vitit të kaluar Kapllani u dënua me 15 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për veprën penale “trafikim i të miturve, kryer në bashkëpunim”. Vendimi u la në fuqi në datën 2 maj të vitit të kaluar edhe nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda në Tiranë.
14 Maj 2008