Spahiu në Gjirokastër për të prezantuar kryetarët e rinj
Tiranë - Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka prezantuar dje në qytetin e Gjirokastrës dy drejtuesit e Gjykatës së Faktit dhe Apelit, Desart Avdulaj (Gjykata e Faktit) dhe Maria Qirjazi (Gjykata e Apelit). Gjatë prezantimit zyrtar nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, është shprehur se, të dy drejtuesit e lartë të sistemit gjyqësor në rrethin e Gjirokastrës, tashmë e tutje kanë besimin e plotë të anëtarëve të KLD-së. Sipas tij, pavarësisht mundësive që të jep posti i të qenit drejtues, e gjithë puna e tyre do të monitorohet nga inspektorati. Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) do të kontrollojë të gjitha procedurat gjyqësore. Objekt i këtij kontrolli, do të jetë mënyra e zhvillimit të seancave gjyqësore në respektim të solemnitetit gjyqësor, etikës gjyqësore e të disiplinës në punë. “Gjyqësori, tha Spahiu, ka si prioritet transparencën me publikun, pasi janë ata që e vlerësojnë punën tonë”. Të pranishëm të këtë ceremoni ishte prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, kryetari i Bashkisë së qytetit, Flamur Bime.
Krimet e Rënda, 30 vite burg për trafik droge
Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje 30 vite burg për dy të akuzuar për trafik droge. Sipas prokurorit të çështjes Shpëtim Hushi duhet të dënohet me 17 vite burg ndërsa Petrit Xhepa me 13 vite burg. Sipas dosjes dy të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë tentuar të trafikojnë 17 kilogram heroinë. Më 24 janar të vitit të kaluar Shpëtim Hushi ishte kthyer nga shteti fqinj, Italia, nëpërmjet portit të Durrësit. Ai ka kontaktuar me të pandehurin Xhepa dhe tri ditë më pas, rreth orës 22:00, Hushi do të udhëtonte sërish drejt Italisë. Por gjatë kontrollit të ushtruar në pikën doganore, nga punonjësit e policisë, në bashkëpunim me oficerët e Drejtorisë së Luftës Kundër Krimet të Organizuar, Hushit i është gjetur rreth 17.5 kg lëndë narkotike, e cila ka rezultuar të jetë e llojit heroinë.
14 Maj 2008