E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ish-ushtarakët, pesë gabimet e qeverisë me pensionet tona”

Flet Mehdi Pogaçi, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Reformë. Sot në orën 11:00 protesta e paralajmëruar në sheshin “Nënë Tereza"

Tiranë – Ish-ushtarakët do të dalin në protesta për pensionet e mohuara nga qeveria. Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Mehdi Pogaçi, tha për gazetën se sot ata do të nisin, sipas njoftimit që kanë bërë kohë më parë, protestat. Ai radhit edhe 5 gabimet e qeverisë në problemin më të mprehtë të shoqatës, atë të pensionit.
Ligji
Sipas tij, ish-ushtarakët janë të diskriminuar për faktin se atyre u janë mohuar të drejtat e pensionit sipas vjetërsisë së shërbimit për shkak të moszbatimit të ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Kush ka shkelur e shkel ligjin, të mbajë përgjegjësi. Përpara përgjegjësisë ligjore duhet të vihen pa dallim të gjithë, pse jo edhe pushtetarët dhe institucionet shtetërore që nuk kanë respektuar dhe nuk zbatojnë ligjin, që kanë shkelur e shkelin ligjin apo që operojnë me ligje të shfuqizuara. Barazia para ligjit është parim kushtetues si në çdo shtet tjetër demokratik, ligjor të së drejtës edhe në Shqipëri. Ky parim u jep të drejtë të gjithëve që për abuzimet e abuzuesit sipas shkallës së përgjegjësisë ligjore të bëhen padi civile dhe penale”, -shprehet Pogaçi.
Gabimet
Sipas kreut të shoqatës, gabimi i parë nis me moszbatimin e nenit 6 të Ligjit 8521, datë 30.07.1999 (neni 11 i ndryshuar i Ligjit 8087, datë 13.03.1996). Në të thuhet se ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm që kanë dalë në rezervë apo lirim pas datës 03.07.1991 deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak në masën 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat dhe të kenë mbushur moshën: gratë 42 vjeç dhe burrat 47 vjeç. Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë 50 për qind të pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi dhe për çdo vit të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese, por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Gabimi i dytë lidhet me mosrespektimin e shfuqizimit që i bënë neni 49 i statusit të ushtarakut shprehjes, “por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”. Gabimi i tretë i referohet trajtimit të ushtarakëve me pension të parakohshëm dhe pension suplementar me ligj të shfuqizuar, Ligjin Nr. 8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar. “Shpërfillja totale të rillogaritjes së pensionit të parakohshëm sipas nenit 4 i ligjit 9481, datë 16.02.2006, që ndryshon nenin 27 të ligjit 9418, datë 20.05.2005 është një tjetër gabim i qeverisë. Aty thuhet se përfitimet suplementare që jepen sipas neneve të këtij ligji rillogariten sa herë që ndryshon dhe në masën që ndryshon paga referuese, me të cilën është bërë llogaritja e këtyre përfitimeve. Në kundërshtim të hapur me këtë përcaktim ligjor rillogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është bërë dhe bëhet në përqindjen e rritjes së masës së pensionit të pleqërisë”, - shprehet Pogaçi. Sipas tij, arsyeja e pestë i përket mostrajtimit me pension suplementar të ushtarakëve të dalë në pension të plotë pleqërie para 3 korrikut 1991. Pavarësisht se në nenin 29 me përcaktimin e vetë dhe specifikon të drejtën që u ka lindur nga neni 36 i Ligjit Nr. 9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, gjithçka ka mbetur vetëm akt i shkruar në letër. Katër vjet pas lindjes e përfitimit të kësaj të drejte, ata ende nuk janë trajtuar.

Ligji i pensioneve

Femra që ka 13 vjet dhe mashkulli 16 vjet në ushtri përfiton një pension prej 52 përqindësh të pagës referuese; kush ka 14 vjet e 17 vjet përfiton 54 për qind e kështu me radhë. Në të kundërt i bie që një mashkull i gradës kapiten me 15 vjet merr 50 për qind të pagës së vetë referuese; ai i gradës major me 25 vjet vjetërsi merr vetëm 41 për qind; ai i gradës nënkolonel për 28 vjet vjetërsi merr 27 për qind të pagës referuese dhe ai i gradës kolonel merr 20 për qind të pagës referuese. ISSH-ja, me mënyrën si e aplikon skemën, duke u dhënë të gjithëve të njëjtën masë pensioni, aq sa është pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi, 16480 lekë, ka barazuar të pabarabartat dhe ka mohuar vlerën e gradës, vlerën e vjetërsisë e shërbimit dhe vlerën e masës së pagës referuese të secilit. Nëpërmjet këtij akti ky institucion merr atributin e ligjvënësit, cakton skemë të re përfitimi që mohon skemën e caktuar në ligj.

Neni 47 i Statusit të Ushtarakut

“Institucionet qendrore vendore dhe komandat e njësive ushtarake, brenda kompetencave dhe në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore, sigurojnë zbatimin e statusit të ushtarakut. Për mosplotësimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj, personat përgjegjës mbajnë sipas rastit përgjegjësi disiplinore, civile dhe penale, të cilat përcaktohen me dispozita ligjore.”

Neni 35 i Statusit të Ushtarakut

“Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët rrogëtarë, me vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura, 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës mujore, deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm , ushtarakut i jepet një shtesë 2 për qind të pagës mujore”.

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›