E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verbund shpall fitoren, qeveria hesht

Kompania austriake njoftoi se ka fituar garën për Hidrocentralin e Ashtës

Kompania austriake e energjisë “Verbund” njoftoi së fundmi se është shpallur fituese nga qeveria shqiptare në garën për marrjen me koncesion të Hidrocentralit të Ashtës mbi lumin Drin, por qeveria dhe Ministria e Ekonomisë e Tregtisë nuk kanë bërë ende asnjë njoftim zyrtar. Në faqen e saj në internet, “Verbund” thotë se “është shpallur nga qeveria shqiptare, fituese në garën ndërkombëtare”. Qeveria nuk ka bërë ende asnjë njoftim. Sipas “Verbund”, Hidrocentrali i Ashtës do të ketë fuqi të instaluar prej 48 Mega/wat dhe do të kushtojë rreth 160 milionë euro. Ai do të jetë një hidrocentral pa digë që do të përdorë ujërat e lumit Drin, në rrjedhje të lirë. Kjo gjë do t’i mundësojë kompanisë koncesionare të shesë Certifikata të Gjelbërta, gjë që do të dyfishojë përfitimin financiar për energjinë e prodhuar. Prodhimi vjetor pritet të jetë nga 240 në 270 GW/h në vit. Me çmimin aktual të importit prej 80 eurosh për MW/h, të ardhurat nga energjia e shitur do të variojnë nga 19 në 21 milionë euro. Edhe po kaq para mund të fitohen nga shitja e Certifikatave të Gjelbërta, të cilat në tregun italian kanë aktualisht një çmim mesatar prej 80 eurosh për MW/h. Sipas Verbund, hidrocentrali mund të fillojë punën në vitin 2012. Ashta mund të sjellë një shtesë prej 5% në prodhimin ekzistues të energjisë elektrike në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›