E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit me 13% taksat mbi pagat

 

Nga 1 Korriku, të punësuarit me pagë minimale do të paguajnë 556 lekë më shumë. Rrogat e larta, 2780 lekë më shumë

Vendoset sigurim i detyrueshëm edhe për të punësuarit me orar të shkurtuar apo të vetëpunësuarit

Qeveria shqiptare rriti dje Sigurimet Shoqërore që paguhen nga të punësuarit në sektorin privat me rreth 13%, ndërkohë që shtoi gamën e kategorive të të punësuarve që detyrohen të sigurohen, duke përfshirë për herë të parë edhe sigurimin mbi pagën minimale për të vetëpunësuarit në bujqësi. Vendimi u kalua në mbledhjen e djeshme të qeverisë pa zhurmë dhe pa sqarime. Paga minimale për efekt të Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore u rrit me 1690 lekë, gjë që solli rritjen e pagës maksimale me 8450 lekë. Që nga 1 Korriku i këtij viti, të punësuarit që marrin pagën minimale, pra përgjithësisht sektori i industrisë së lehtë, tekstilet e këpucët, ndërtimi e kategoritë e ulëta, do të detyrohen të paguajnë 556 lekë më shumë, ndërsa të punësuarit me paga të larta, të cilët janë të siguruar për pagën maksimale të taksueshme për efekt sigurimesh, do të duhet të paguajnë 2780 lekë më shumë çdo muaj.

Sektori në krizë

Vendimi i djeshëm duket se është kundërpërgjigjja e qeverisë përballë krizës së sistemit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore. Të dy institucionet janë përballur me shtimin e deficiteve, të cilat për këtë vit pritet të arrijnë së bashku në mbi 250 milionë euro. Sigurimet shoqërore vuajnë nga numri i pakët i kontribuuesve në krahasim me rritjen e shpejtë të numrit të përfituesve të pensioneve, ndërsa sigurimet shëndetësore, gjatë tre viteve të fundit janë karakterizuar nga dyfishimi i shpenzimeve, gjë që i detyrohet veçanërisht keqmenaxhimit të politikës së blerjes së barnave. Sigurimet shëndetësore po hasin vështirësi edhe për shkak të rritjes së numrit të rasteve të manipulimeve. Shumë të sëmurë, arrijnë të përfitojnë receta të rreme që konvertohen në para. Shtimi i disa barnave të shtrenjta në listën e ilaçeve të rimbursueshme, ka bërë më tërheqës qarkullimin e faturave për të sëmurë jorealë ose të sëmurë që nuk ekzistojnë. Si kundërpërgjigje, ISKSH ka shtuar hallkat e kontrollit të recetave, duke ia vështirësuar jetën pensionistëve, që shpesh duhet të bredhin në një numër shumë të madh zyrash për të arritur në marrjen e mallrave të rimbursueshme.

Pagat e larta humbasin shtesën

Zyrtarët e lartë të shtetit, përfshirë ministrat dhe deputetët, pritet të humbasin si pasojë e vendimit të djeshëm, pjesën më të madhe të rritjes së pagës prej 4.2% që morën me buxhetin suplementar. Zyrtarët e lartë përfituan një shtesë page bruto nga 4500 lekë në 10 mijë lekë. Por rritja e pagës maksimale për efekt të sigurimeve, do t’u heqë të gjithëve nga 2800 lekë. Për zyrtarët e administratës së lartë që kanë paga nga 100 mijë në 140 mijë, indeksimi ulet në më pak se 2% për këtë vit. Kategoria tjetër e më të penalizuarve nga vendimi i djeshëm, janë zyrtarët e lartë të sektorit privat.

Skemë sigurimesh apo skemë taksash

Teorikisht, sigurimet shoqërore janë një lloj skeme kursimi, ku të punësuarit depozitojnë një pjesë të pagës së tyre për ta marrë kur të dalin në pension. Teorikisht, paratë e grumbulluara nga kontribuuesit, investohen dhe prodhojnë interesa. Në fund, skema duhet t’i japë kontribuuesve pension në raport me kontributet e derdhura. Kjo nuk ndodh në Shqipëri, sepse sasia e pensionit që shqiptarët marrin, ose u takon me ligj, është disa herë më e ulët sesa sasia e kontributeve që u kërkohet të paguajnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›