Universiteti i Vlorës, Beja: Se kalojmë si vendim
Tiranë- Ministri i Arsimit dhe Shkencës Fatos Beja në daljen e tij të parë publike si ministër u angazhua para mediave se do të garantojë transparencën e veprimtarisë së MASH, gjatë gjithë periudhës që do të jetë ministër i saj dhe u shpreh kundër ndryshimit të emrit të universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë.
Lidhur me ndryshimin e emrit të universitetit të Vlorës, që është në qendër të vëmendjes së opinionit publik Beja deklaroi, se Ligji i Arsimit të Lartë garanton autonominë e universiteteve dhe funksionimin e tyre mbi bazën e statutit dhe të rregulloreve të tyre. Në bazë të këtij ligji, është e mundur të ndryshohet emri i një universiteti, është e mundur që një rektor të bëjë një propozim, pas një vendimi të mbështetur në vendimin e senatit.
Sipas tij, është akti i krijimit të vetë universitetit, i cili duhet të ndryshohet dhe kjo nuk është atribut i senatit, por i Këshillit të Ministrave. Një vendim i Këshillit të Ministrave ndryshohet po nga Këshilli i Ministrave.
“Deri më sot, në MASH nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga universiteti i Vlorës. Por mund t’ju them që edhe nëse vjen, nuk do ta kalojmë si Vendim të Këshillit të Ministrave”- tha ai.
Beja ka deklaruar se kjo është një çështje shumë normale të diskutohet dhe që kërkon edhe opinionin publik.
Ai ka shfrytëzuar rastin në këtë prononcim të parë publik, për të ftuar të gjithë prindrit, vecanërisht prindrit e Tiranës, Durrësit, të qyteteve më të mëdhenj të Shqipërisë, të fillojnë të tërheqin tekstet shkollore për fëmijët e tyre. Në sajë të angazhimit dhe bashkëpunimit me botuesit të MASH, këtë vit, kjo është e mundur më shpejt se cdo herë tjetër, duke filluar nga data 1 gusht.
Përsa i përket reformave, Beja ka garantuar se do të konsolidojë reformat edhe më tej për zhvillimin e arsimit.