Sherri mes shqiptarëve, gjen vdekjen 23-vjeçari
GREQI – Thika në trup truprojës shqiptar të diskos nga katër bashkatdhetarë. Ngjarja ka ndodhur në orën 03:00 të ditës së shtunë, në rrugën “Agnosto Stratioti” Nr. 1 në qytetin e Lamias. Pas mesnate, 23-vjeçari shqiptar, i cili punonte si truprojë në diskotekën në periferi të Lamias, ka qenë duke bërë punën e tij, ku pjesë e detyrës ishte të ndalonte grupe meshkujsh të hynin të pashoqëruar. Në orën 02:00 të së shtunës, në portën kryesore të diskotekës janë afruar katër djem shqiptarë, që të gjithë të moshës nga 21 deri 23 vjeç. Ata i kanë kërkuar që të futeshin të gjithë brenda në disko. Por këtu është dashur të zbatohet rregullorja dhe 23-vjeçari i ka kërkuar që të largoheshin sepse ishin të pashoqëruar dhe, për rrjedhojë, nuk mund t’i linte të hynin brenda. Katër djemtë janë larguar duke e sharë rëndë truprojën, por janë rikthyer sërish më pas, pasi kishin konsumuar alkool. Me të dalë nga makina, me thika në duar, ata i janë afruar edhe një herë truprojës. Të paktën dy prej shqiptarëve iu vërsulën dhe e qëlluan me thika, kurse dy të tjerët e mbanin me duar që të mos vetëmbrohej. Pasi e lanë përtokë në një pellg gjaku, të katër të rinjtë shqiptarë u larguan. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe e dërgoi të plagosurin në Spitalin shtetëror të Lamias, ku mjekët thanë se 23-vjeçari ndërroi jetë vetëm pak minuta më pas, si pasojë e plagëve fatale që kishte marrë në fyt dhe në trup. Dëshmitarë në vendngjarje i dëshmuan policisë se 23-vjeçari u sulmua në portën e diskotekës, në krye të detyrës, dhe u qëllua me armë të ftohta nga katër djem moshatarë me të, gjithashtu shqiptarë. Policia tha se ka identifikuar autorët e krimit, por ende nuk ka arritur t’i kapë ata.
28 Dhjetor 2009