1 vit sport, mes sukseseve dhe dështimeve
Viti 2009 është një nga vitet më të ngjeshura futbollistike, si në arenën ndërkombëtare dhe atë kombëtare, me një kalendar ngjarjesh të bujshme, të shoqëruar me suksese, por të pashmangshme edhe dështimet. Me ndeshje të shumta ndërkombëtare në rang përfaqësuesesh, nga ajo A te U-15, përfshirë zyrtare e miqësore, por dhe në nivel klubesh, pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve (Tirana) dhe në Ligën e Europës (Dinamo, Vllaznia dhe Flamurtari). Viti ndërkombëtar futbollistik i Shqipërisë të gjitha nivelet, si ato me ekipet Kombëtare, duke nisur nga ajo e madhe, A, e deri të përfaqësuesja më e re, U-15, por dhe me katër skuadrat e klubeve që morën pjesë në kompeticionet evropiane, ka qenë tërësisht i dështuar. Albania-sport paraqet disa nga ngjarjet më të rëndësishme.
RENDITJA FIFA, VENDI 96 - Shqipëria u ngjit dy vende në renditjen botërore të FIFA-s për muajin dhjetor 2009, duke mbyllur vitin futbollistik në vendin e 96-të, me 336 pikë. Gjithsesi, ky “sukses” zbehet menjëherë, kur mendon se në krahasim me janarin e këtij viti, Kombëtarja jonë e drejtuar së pari nga holandezi Ari Han e aktualisht nga kroati Josip Kuzhe, ka bërë 18 hapa pas, pasi ka qenë e 78-a në botë. Në renditjen e UEFA-s, përfaqësuesja jonë vazhdon të renditet në vendin e 42-të, midis Moldavisë dhe Armenisë. Ndeshja e fundit e Kombëtares ishte barazimi 0-0 me Estoninë në Talin, më 14 nëntor 2009. Përfaqësuesja jonë ndodhet në vazon ë e 5-të për shortin e eliminatoreve të Euro 2012, finalet e të cilit do të zhvillohen në Poloni dhe Ukrainë. Kampione e vitit doli Spanja (1627 pikë).
9 NDESHJE NDËRKOMBËTARE - Gjatë vitit 2009, Shqipëria zhvilloi nëntë ndeshje ndërkombëtare, gjashtë zyrtare dhe tri miqësore. Bilanci në total: 9 ndeshje; 1 fitore, 1 barazime, 4 humbje. Të ndara këto sipas trajnerëve, holandezi Ari Han e drejtoi përfaqësuesen në tri ndeshje zyrtare (kundër Maltës, Hungarisë e Danimarkës; bilanci: 1 fitore, 2 humbje). Pasuesi i tij, kroati Josip Kuzhe e drejtoi Shqipërinë në gjashtë takime: 3 zyrtare (Portugali, Danimarkë, Suedi; bilanci: 1 barazim, 2 humbje) dhe 3 miqësore (Gjeorgji, Qipro, Estoni; bilanci: 1 fitore, 2 barazime). Fitorja më e thellë e Shqipërisë është ajo 6-1, në miqësoren kundër Qipros në “Qemal Stafa (12 gusht 2008), fitorja më e thellë në të gjithë historinë e 236 ndeshjeve të Kombëtares. Humbjet më të thella janë ato kundër Danimarkës (3-0 në Kopenhagen, 1 prill 2009) dhe Suedisë (4-1 në Solna, 14 tetor 2009). Ndeshja e parë për vitin 2010 është ajo kundër Luksemburgut, më 3 mars.
NGA U-15 TE U-21 – Kombëtarja U-15 me trajneri Sulejman Demollarin në 13 ndeshje (miqësore dhe kualifikuese) regjistroi 8 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Përfaqësuesja U-17 e Ardian Memës nuk arriti të fitojë asnjë ndeshje, qoftë zyrtare apo miqësore. Bilanci: 6 ndeshje; 0 fitore, 2 barazime, 4 humbje. Ajo U-19, e drjejtuar nga Ramadan Shehu, në 12 ndeshje pati këtë bilanc: 4 fitore, 6 barazime, 2 humbje. U-21 i Artan Bushatit në 9 ndeshje: 2 fitore, 1 barazim, 6 humbje.
EURO 2012, VAZO 5 - UEFA, qeveria e futbollit europian, shpalli zyrtarisht vazot e skuadrave për shortin e Kampionatit Europian 2012, finalet e të cilit do të zhvillohen në Poloni e Ukrainë. Spanja, kampionia në fuqi e Europës, është midis nëntë ekipeve me koeficientin më të lartë për shortin kualifikues të Euro 2012, që do të hidhet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, më 7 shkurt 2010. Kombëtarja jonë ndodhet zyrtarisht në vazon e pestë, së bashku Malin e Zi, Estoninë, Gjeorgjinë, Moldavinë, Islandën, Armeninë, Kazakistanin dhe Lihteshtejnin. Shqipëria ka koeficientin 18'319 pikë dhe renditet si ekipi i 40-të më i fortë nga 53 ekipe përfaqësuese që janë të aderuara në UEFA. Shqipëria vjen menjëherë pas Malit të Zi (e 39-a, koeficienti 18'751) dhe lë pas Estoninë (e 41-a, 17'792), skuadër me të cilën barazuam 0-0 në Talin, më 14 nëntor 2009.
SHKARKIMI I HANIT - Vetëm 15 muaj rezistoi holandezi Ari Han në kry të kombëtares sonë, qysh kur morri zyrtarisht detyrën, më 4 janar 2008. Han- trajneri i katërt i huaj i epokës “Duka” – i vuri kapak aventurës së tij të tretë në krye të një ekipi kombëtar – pas Kamerunit e Kinës – pas barazimit 0-0 në Maltë, humbjes 0-1 me Hungarinë në Tiranë dhe ajo 3-0 me Danimarkën në Kopenhagen, kur atij i kanë mbetur edhe tri ndeshje ndërkombëtare nga përfundimi zyrtar i kontratës (Portugali, Danimarkë e në fund Suedia në Stokholm). Kontrata juridikisht përfundonte më 31 dhjetor 2009, por u zgjidh në mirëkuptim midis palëve, teksa Hani përfitoi edhe një shumë prej . Han grumbulloi gjashtë pikë në shtatë ndeshje. Holandezi nuk guxoi kurrë të luante një futboll agresiv e sulmues me Shqqipërinë. Gjatë 10 ndeshjeve në drejtimin e tij (3 miqësore, 7 zyrtare), Shqipëria shënoi vetëm 6 gola (3 në miqësore, 3 në zyrtare).
EMRËRIMI i KUZHES – Tridhjetë e pesë ditë nga shkarkimi i holandezit Ari Han, Federata Shqiptare e Futbollit emëroi më 19 maj, kroatin Josip Kuzhe në detyrën e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare. Kuzhe nënshkroi një kontratë 2.5 vjeçare me FSHF-në, në versionin me rinovim: 1 vit + 1.5 vjet. Sipas asaj që deklaroi bosi i futbollit shqiptar, Armand Duka, Kuzhe do të qëndrojë për një kohë të gjatë në Shqipëri, ndërkohë që ndryshe nga paraardhësit e tij të huaj stafin e tij teknik do ta ketë tërësisht shqiptar. Ish-tekniku i Ruandës do të jetë i 16-ti në historinë e Kombëtares shqiptare dhe i pesti (i huaj) në stolin e Shqipërisë në shtatë vitet e fundit, cikël që nisi me italianin Xhuzepe Dosena, e vazhdoi me gjermanin Hans-Peter Brigel, kroatin Oto Bariç e holandezin Ari Han. Kuzhe pati përballë ekipet më të forta të grupit: Portugalinë (humbi 1-2), Danimarkën (barazoi 1-1) dhe Suedinë (humbi 4-1).
RINOVIMI ME KROATIN - Josip Kuzhe është zyrtarisht trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit. Vendimi unanim për rinovimin deri në vitin 2011 të punësimit të 57-vjeçarit kroat u morr nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, më 15 dhjetor. Në fakt, kontrata e mëparshme e ish-trajnerit të Ruandës skadonte në maj të vitit 2010. Bashkatdhetari i Oto Bariçit nënshkroi marrëveshjen e tij të dytë si trajner i një ekipi përfaqësues me FSHF-në me një afat 2.5 vjet, por me versionin 1 vit + 1.5 vjet, duke pranuar me shumë dëshirë kushtin e tij kryesor të federatës, qëndrimin me një kohë të gjatë në Shqipëri, ndryshe nga paraardhësit e tij të huaj. Josip Kuzhe, trajneri i pestë i huaj gjatë mandatit të dyfishtë presidencial të Armando Dukës, do të përfitojë 110 mijë euro në vit (rreth 9200 euro në muaj), një shumë e pranueshme për financat e Federatës Shqiptare të Futbollit.
KAMPIONATET, VENDI 62 - Në renditjen botërore të ligave më kompetitive dhe të forta në botë, Superliga shqiptare renditet në vendin e 62-të duke humbur 6 pozicione nga renditja e mëparshme. Për gjashtë-mujorin e dytë të vitit 2008 kampionati ynë pozicionohej në vendin e 56-të ndër 100 ligat më të mira në botë, teksa vendin e parë e ka marrë kampionatin anglez. Lajmi është bërë i ditur nga Federata Internacionale e Futbollit Histori dhe Statistika. Kjo e fundit ka përzgjedhur 100 kampionatet më të rëndësishme në botë dhe duke u bazuar në një sërë kriteresh ka bërë edhe klasifikimin e përgjithshëm. Kriteri kryesor është lufta për titull e skuadrave. Kompetiviteti në kampionatin shqiptar mes Tiranës, Vllaznisë dhe Dinamos gjatë 33 javëve të sezonit 2008-2009 por jo vetëm; lufta për titull deri në javën e fundit mes Tiranës dhe Vllaznisë ka bërë që Superliga një ketë një qëndrueshmëri konstante në këtë renditje. Shqipëria ndodhet në midis Tajlandës, e 61-ta (162 pikë) dhe Bregut të Fildishtë, i 63-ti (154 pikë).
BILANCI I KLUBEVE - Nga 10 ndeshje që zhvilluan në total katër skuadrat shqiptare, bilanci është ky: 3 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje. Fitoren më të bujshme e realizoi Vllaznia, duke mundur në transfertë 2-1 Sligo Roversin, ndërkohë që Dinamo e Flamurtari fituan në shtëpi përkatësit kundër Lahtit (2-0) dhe Madhëruellit (1-0). Tirana e Vllaznia barazuan në shtëpi respektivisht kundër Stabekut (1-1) dhe Sligo Rovers (1-1). Humbjet ishin njëra me e thellë se tjetra. Vllaznia ishte e vetmja që humbi në shtëpi: 0-3 me Rapidin e Vjenës. Shkodranët humbën 5-0 në Vjenë po me Rapidin, Tirana humbi 4-0 me Stabeukun në Norvegji, Dinamo u mund 4-1 nga Lahti në Finlandë, ndërsa Flamurtari vendosi një rekord negativ me humbjen 8-1 nga Madheruelli në Skoci.
REKORD “GUINNES” - Flamurtari vendosi një “rekord për Guinnes” për skuadrat shqiptare që kanë marrë pjesë në kompeticionet europiane. Vlonjatët humbën 8-1 ndeshjen e kthimit me formacionin skocez Madhëruell, edhe pse djemtë e Eqerem Memushit kishin fituar 1-0 takimin e parë të turit të dytë eliminator të Ligës së Europës. Golin e vetëm për Flamurtarin e shënoi zëvendësuesi Odise Roshi (65’), kur rezultati kishte shkuar në 6-0 për vendasit qysh në pjesën e parë. Rezultatin e dytë më të keq e kishte pasur Besa, që ishte mundur nga ana e saj me Hibernians 7-1 (1972), po në Skoci.
HUMBJA E NËNTË - Fitorja 8-1 e Madhëruellit ndaj Flamurtarit është një ndër më të mëdhatë e një formacioni skocez në Europë, por jo e mjaftueshme për të qenë me madhja, madje e nënta për nga thellësia e rezultatit. Rekordin absolut e mban Rejnxhërs, që ka mundur maltezët e Maltës me rezultatin 10-0, në edicionin 1983-1984 të Kupës së Kupave. Aberdini mundi 10-1 islandezët Rejkavikut në Kupën e Kupave 1967-1968. Dandi Junaitid mundi 9-0 skuadrën nga Andorra, Principat në Kupën UEFA, 1997-1998. Hiberniani mundi 9-1 Rozenborgun e Norvegjisë.
GJOBAT – Tirana është ndëshkuar me 7 mijë euro gjobë nga UEFA për hedhje të letrave higjienike në fushë gjatë takimit Tirana-Stabaek (1-1, Liga e Kampioneve, 15 korrik). Më parë nga UEFA ishte ndëshkuar Vllaznia me 6 mijë euro gjobë, për shkak të sjelljeve të Armir Grimës e Vioresin Sinanit (të dy të ndëshkuar me kartonë të kuq) ndaj kundërshtarëve, i pari në ndeshjen Sligo Rovers-Vllaznia dhe i dyti në Vllaznia-Sligo Rovers. Të dy takimet ishin për Ligën e Europës.
TË GJITHA NDESHJET
GJATË VITIT 2009
ZYRTARE
Trajner Ari Han
Maltë- Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Trajner Josip Kuzhe
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 4-1
MIQËSORE
Trajner Ari Han
Asnjë
Trajner Josip Kuzhe
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Bilanci në total: 9 ndeshje; 1 fitore, 4 barazime, 4 humbje.
RENDITJET E SHQIPËRISË
GJATË VITIT 2009
Muaji V
Dhjetor 2009 96
Nëntor 2009 98
Tetor 2009 97
Shtator 2009 93
Gusht 2009 94
Korrik 2009 95
Qershor 2009 92
Maj 2009 92
Prill 2009 91
Mars 2009 80
Shkurt 2009 79
Janar 2009 78
REZULTATET, KLUBET
Liga e Kampioneve
Turi i dytë eliminator
Tirana-Stabaek 1-1
Stabaek-Tirana 4-0
Kualifikohet Stabaek me rezultatin e përgjithshëm 5-1
Liga e Europës
Turi i parë eliminator
Lahti-Dinamo 4-1
Dinamo-Lahti 2-0
Kualifikohet Lahti me rezultatin e përgjithshëm 4-3
Sligo Rovers-Vllaznia 1-2
Vllaznia-Sligo Rovers 1-1
Kualifikohet Vllaznia me rezultatin e përgjithshëm 3-2
Turi i dytë eliminator
Rapidi i Vjenës-Vllaznia 5-0
Vllaznia- Rapidi i Vjenës 0-3
Kualifikohet Rapidi i Vjenës me rezultatin e përgjithshëm 8-0
Flamurtari-Madhëruell 1-0
Madhëruell- Flamurtari 8-1
Kualifikohet Madhëruell me rezultatin e përgjithshëm 8-2
28 Dhjetor 2009