Qëlluan më armë një të ri, arrestohet njëri nga autorët
ELBASAN – Tentuan të vrisnin një të ri, arrestohet njëri nga autorët. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në lagjen “Brigada 17 Sulmuese” në qytetin e Elbasanit, kur policia lokale u informua për një tentativë vrasjeje me armë zjarri. “Nga veprimet e para procedurale të kryera rezultoi se, për motive ende të paqarta, është tentuar të vritet me armë zjarri pistoletë, J. P., 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen ‘Shënkoll’ Elbasan”, - thanë burimet policore në vendngjarje. Mësohet se i riu është plagosur nga persona ende të paidentifikuar, të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur. Policia konfirmoi se mesditën e djeshme arriti të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin kryesor të krimit, i cili është Mirjan Pal Dedja, 27 vjeç, lindur e banues në lagjen “Vriserion Xhuvani” Elbasan. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua pistoleta si arma e krimit. Policia tha se po vazhdon puna për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje kriminale dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj. I riu i prangosur është tani nën akuzë për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe të municionit pa lejen e organeve kompetente”.
Plagosi më thikë të shoqen, dosja mbërrin në Gjykatë
Plagosi më thikën e bukës bashkëshorten, prokuroria dorëzon në gjykatë dosjen. Lulzim Mata është emri i të pandehurit, i cili akuzohet se rreth dy muaj më parë ka plagosur të shoqen në sy të fëmijëve të tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth dy muaj më parë, ku S. M., 40 vjeçe, është qëlluar me thikë pranë barkut nga i shoqi 14 vjet më i madh, Lulzim Mata. Sipas policisë, ka qenë vetë S. M. që ka kërkuar ndihmë, ndërsa kur kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit Nr. 6 të Policisë në banesën e çiftit kanë konstatuar ngjarjen e rëndë. Shkak mësohet të jetë bërë një nga grindjet e shumta mes çiftit, kurse autori dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit. Çifti mësohet se ka dy fëmijë, të cilët kanë qenë në banesë kur ndodhi grindja. I pandehuri është larguar menjëherë nga vendngjarja sapo ka mësuar për mbërritjen e policisë. E plagosura është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak, ku pas mjekimit të parë mjekët nuk e kanë parë të domosdoshme për ta kuruar në spital. Pasi i janë dhënë rekomandimet e nevojshme për trajtimin në banesë, S. M. është lejuar të kthehej në shtëpi. Tashmë pritet që dosja e mbërritur në gjykatë të hidhet në short dhe më pas të caktohet trupi gjykues që do ta marrë në shqyrtim atë.
28 Dhjetor 2009