U nis me tortë tek e fejuara, e vrasin në tunelin e ushtrisë
FIER - Një 32-vjeçar, teksa po shkonte me tortë në dorë tek e fejuara e tij për të festuar Krishtlindjen, është marrë peng nga disa persona dhe më pas është ekzekutuar në tunelet e ish-Repartit të Tankeve në Levan të Fierit. Trupi i pajetë i tij është gjetur dje në mëngjes dhe dyshohet që krimit të jetë bërë para tri ditësh. Burime zyrtare bëjnë të ditur se po hetojnë në dy pista; prishje pazaresh mes grupeve ose grabitje. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë identifikuar viktimën disa orë pasi është gjetur trupi i tij. Sipas tyre, i ekzekutuari është shtetasi Leonard Hazizaj. Ai ka marrë katër plumba në trup dhe kokë. Policia ka marrë në cilësinë e provës materiale plumbat dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të krimit. Deri në orët e vona të mbrëmjes janë shoqëruar disa persona.
Gjetja e trupit
Dje në mëngjes ka mbërritur një telefonatë në policinë e qytetit të Fierit, ku njoftohej se është gjetur kufoma e një personi në mjediset e një ish-zone ushtarake. Nga këqyrja që iu bë trupit të pajetë mësohet se kufoma e seksit mashkull, 32 vjeç, është shtetasi Leonard Hazizaj, banor i qytetit të Fierit. Në trupin e 32-vjeçarit janë gjetur pesë shenja plumbi, në kokë dhe në trup, gjë që ka vërtetuar se vdekja ka ardhur nga plagët e shkaktuara nga një armë zjarri e tipit automatik. Policia bën të ditur se viktima fillimisht është rrëmbyer, mbajtur peng në ambientet e ish-Repartit të Tankeve, ku më pas është ekzekutuar për vdekje me armë të tipit automatik. Ekzekutimi, sipas policisë, mund të ketë ndodhur 2 net më parë. Në cilësinë e provave materiale janë marrë gëzhojat e plumbave që janë shkrehur nga arma me të cilën është kryer vrasja. Identifikimi u bë pas punës intensive disaorëshe të policisë, e cila punoi fillimisht për gjetjen e personave të deklaruar të humbur ditët e fundit, me qëllim identifikimin e viktimës, që më pas doli se ishte Leonard Hazizaj. Mësohet se Hazizaj ka qenë emigrant në një qytet të Greqisë, por pak ditë më parë ishte kthyer pranë familjes.
Hetimet
Mësohet se Leonard Hazizaj, 32-vjeçar nga Fieri, ishte fejuar me një vajzë rreth 20 vjeçe në Frakull të rrethit Fier. Mbrëmjen e tri ditëve më parë ai ishte nisur për tek e fejuara, me rastin e Krishtlindjes. Në kthim, me automjetin e tij, një veturë tip “Nissan” me targa greke, mendohet të jetë ndalur nga persona të armatosur, të cilët e kanë shtyrë deri në tunelin e ish-Repartit të Tankeve, ku edhe e kanë vrarë me pistoletë dhe janë larguar duke e lënë viktimën aty. Policia tha se viktima ka dyshime të jetë marrë me trafikim të lekëve dhe eurove të falsifikuara në Shqipëri dhe Greqi. Por po hetohet edhe në pistën e grabitjes së emigrantit dhe për të fshehur gjurmët, autorët e krimit e kanë ekzekutuar me armë.
Policia e Fierit është vënë menjëherë në lëvizje për të zbuluar sa më parë shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve pranë policisë së këtij qyteti bëhet e ditur se janë shoqëruar disa persona në ambientet e policisë, të cilët janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, pasi dyshohet se mund të kenë dijeni për të. Uniformat blu nuk bëjnë të ditur asnjë detaj lidhur me dëshmitë e dhëna nga banorët e zonës, ose personat e marrë më pyetje, pasi sipas tyre, ato mund të dëmtojnë hetimin.
28 Dhjetor 2009