Mesazhi i lamtumirës: “Po vetëvritem, nuk dua të lë fëmijët në hasmëri”
LUSHNJË – Një kryefamiljar i jep fund jetës në gjendje të dehur, duke u vetëqëlluar në kokë me armë zjarri. Ai u gjet i vdekur pasditen e së shtunës në mes të rrugës në qytetin e Lushnjës dhe pranë viktimës është gjetur një letër, ku, ndër të tjera, shkruhej: “Po i jap fund jetës se nuk dua t’i lë fëmijët në hasmëri”. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se viktima është Avni Spahiu, 50 vjeç, nga qyteti i Beratit. I ndjeri kishte mbërritur në qytetin e Lushnjës ditën e djeshme dhe deri pak orë para kryerjes së aktit flijues ndodhej në një lokal disa dhjetëra metra larg vendit të quajtur Rotonda e Stavrës. Mendohet se i ndjeri ka qenë nën efektin e alkoolit dhe në rrethana të gjendjes së rënduar psikologjike kur e ka bërë vetëvrasjen. Madje, burimet shtojnë se ai ka lënë edhe një letër para se t’i jepte fund jetës. Policia tha se 50-vjeçari beratas i ka dhënë fund jetës pikërisht afër Rotondës së Stavrës, kurse zbardhi disa nga fjalët e shkruara në letër, ku veçohet thënia se “po i jap fund jetës se nuk dua t’i lë fëmijët në hasmëri”.
Vetëm tri ditë më parë, në prag të festës së Krishtlindjes, ndodhën dy akte vetëflijuese. Një 35-vjeçare, pasi mori vesh për sëmundjen e pashërueshme, u vetëvar në Fushë-Krujë, ndërsa në Elbasan, një kryefamiljar i dha fund jetës duke pirë fostokstinë. Sipas burimeve zyrtare, motivet që e shtunë 51-vjeçarin nga Elbasani për të ndërmarrë këtë akt kanë qenë ato të varfërisë. Varfëria, stresi dhe sëmundjet psikologjike kanë rritur ndjeshëm numrin e vetëvrasjeve në vendin tonë gjatë viteve të fundit.
Zhduket 17-vjeçarja, dyshohet të jetë vetëmbytur
KUKËS - Një 17-vjeçare nga fshati Malqene i Kukësit rezulton e zhdukur prej gati 3 ditësh. Ishin prindërit e saj që kanë denoncuar largimin e vajzës me iniciale R. T. nga shtëpia, ndërsa policia ka nisur hetimet. Paraprakisht po hetohet në dy pista, pasi dyshohet se vajza ose është larguar me dëshirë nga shtëpia, ose është vetëmbytur. Në lidhje me versionin e vetëmbytjes, dyshimet janë ngritur pasi disa banorë të zonës thanë se e kanë parë 17-vjeçaren mbi urën e lumit Drin. Burime nga policia bëjnë të ditur se kanë gjetur në lumë xhupin dhe këpucët e saj, rreth 100 metra larg vendit nga ku mendohet se ajo mund të jetë hedhur për t’u vetëflijuar. Ndërkaq vijojnë kërkimet për 17-vjeçaren, ndërsa mbetet i paqartë vendimi i saj për t’u larguar nga banesa.
28 Dhjetor 2009