Luanin me kallashnikov, plagoset nga pakujdesia 16-vjeçari
Një plagë e marrë në kraharor, e shkaktuar nga një plumb automatiku, i rrezikon jetën një 16-vjeçari nga Gramshi. Adoleshenti ishte duke luajtur me një shokun e tij, kur një qitje e pavullnetshme e dalë nga arma me të cilën ata po kalonin kohën, e ka rrëzuar atë në tokë, i mbuluar krejtësisht nga gjaku. Sipas burimeve zyrtare, i dëmtuari është adoleshenti me inicialet T.Rr. Ndaj tij u dha ndihma e parë duke e dërguar atë në spitalin e qytetit. Ka qenë 15-vjeçari që kishte në dorë armën, e cila ka dëmtuar në gjoks shokun e tij. Ndërkohë që policia e cila shkoi në vendngjarje shoqëroi në komisariat shokun e tij, 15-vjeçarin me inicialet E.A., për ta marrë në pyetje për këtë plagosje.
Ngjarja
Rreth orës 14:15 të së enjtes, 16-vjeçari me inicialet T.Rr. dhe shoku i tij një vit më i vogël me inicialet E.A. ishin në banesë, në lagjen “Agjencia” në Gramsh. Ata kishin gjetur një armë automatike të llojit Kallashnikov me të cilën po luanin. Ndërsa 15-vjeçari ishte duke e mbajtur atë në dorë, një shkrepje e pavullnetshme e armës ka ndodhur, ndërkohë që ai ka parë shokun e tij të rrëzohet në tokë me një plagë të marrë në trup. Ka shkuar me shpejtësi të lajmërojë të afërmit dhe adoleshenti është hipur menjëherë në makinë dhe është dërguar në spitalin e qytetit. Atij i është dhënë ndihma e parë nga mjekët, por plaga e marrë në trup i kishte shkaktuar atij një dëmtim të rëndë. Për këtë arsye i plagosuri u vendos që të dërgohet për një mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndërkohë që në vendngjarje shkoi edhe policia. U ngrit një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj plagosjeje. Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i saj ka qenë një pakujdesi e adoleshentit. Arma të cilën ai e mbante në dorë, ka kryer një qitje të pavullnetshme dhe plumbi ka kapur shokun e tij, duke e lënë atë të plagosur. Të dy shokët nuk e kanë vënë re që arma ka pasur një fishek në fole dhe që nuk ka qenë e siguruar. Në lojë e sipër, arma ka shkrepur dhe plumbi e ka kapur 16-vjeçarin në gjoks. Mjekët po punojnë për kurimin e tij, ndërkohë që gjendja e adoleshentit ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën.