E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi; Tri makina të vjedhura në vendet e BE-së u rikthehen pronarëve



Drejtësia shqiptare vazhdon që të zbatojë vendimet e gjykatave dhe në përfundim të proceseve gjyqësore dhe verifikimeve për disa automjete të sekuestruara, të cilat ishin deklaruar të vjedhura, t’ua rikthejë sërish pronarëve, banorë në shtetet e BE-së. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë të ditur se në kuadër të vazhdimësisë së bashkëpunimit të frytshëm të saj me disa Prokurori në rrethe, ka arritur të realizojë kthimin e një numri të konsiderueshëm automjetesh të vjedhura, shtetasve të huaj pronarë të ligjshëm të tyre. Konkretisht, sipas burimeve, këtë herë Prokuroria e Përgjithshme ka bashkëpunuar me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Vlorë, Durrës dhe Kukës, si dhe në bashkëpunim me autoritetet britanike dhe italiane është bërë i mundur kthimi i tre makinave të vjedhura. Automjetet e kthyera janë të tipeve BMW X5, BMW X3, si dhe “Audi Q7”. Po sipas të njëjtave burimeve, automjeti BMW X5 i është kthyer shtetit anglez, ndërsa dy makinat e tjera automjeti tip BMW X3 dhe “Audi Q7” i janë kthyer shtetit italian. Falë këtij bashkëpunimi që Prokuroria e Përgjithshme ka me autoritetet vendase dhe të huaja, është bërë i mundur brenda këtij viti kthimi i 40 automjeteve të vjedhura. Bashkëpunimi në këtë fushë për kthimin e automjeteve të vjedhura vazhdon, ai është shtrirë edhe me autoritetet e vendeve të tjera, ku shpejt pritet të realizohet rikthimi i automjeteve të cilat prej kohësh qarkullojnë në Shqipëri, pronarëve të ligjshëm në shtetet përkatëse.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›