E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë për atentat me eksploziv, alarm te Krimet e Rënda



Frika nga një atentat i mundshëm gjatë momentit të gjyqit të “Bandës së Durrësit” apo ndonjë sinjal alarmi për vënie eksplozivi në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka alarmuar këta të fundit, duke sjellë në ambientet e saj forca të shumta policie, por edhe efektivë të njësisë antieksploziv dhe kundër akteve terroriste. Fakti nuk konfirmohet, por edhe nuk mohohet nga Krimet e Rënda, ndërkohë që vetë faktet të linin të dyshoje për një sinjal të tillë. Dy orë para se të niste seanca e caktuar për “Bandën e Durrësit”, ku pritej të vijonte pjesa e tretë e dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli, një grup i specializuar, i pajisur edhe me qen anti-lëndësh plasëse, kanë kontrolluar me imtësi gjithë ndërtesën e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ndryshe nga disa seanca të mëparshme, nuk kanë munguar aspak supermasat e sigurisë në mbërritjen e Colit në gjykatë, por është sjellë në ambientet e kësaj gjykate 2 orë para fillimit të seancës, pasi u siguruan se gjithçka ishte në rregull dhe nuk kishte lëndë eksplozive. Përforcimi i masave nga policia është parë që në momentin kur i penduari filloi të flasë dhe të rrëfejë me detaje çdo episod për të cilin akuzohet kjo bandë kur ishin bashkë dhe pasi u ndanë. E veçanta e ditës së djeshme, ndryshe nga seancat e mëparshme kur ka dëshmuar Coli, ka qenë jo vetëm me më tepër masa sigurie, por para sjelljes së tij në gjykatë ka pasur kontroll të imtësishëm nga agjentët që kryejnë kontrollet kundër eksploziveve. Madje, efektivët e policisë nuk kanë lejuar nga hyrja kryesore për publikun të afrohen kamerat për shkak të kontrolleve që bëheshin në ambientet e brendshme.

Debatet

Një seancë pasi i penduari Adriatik Coli nisi të flasë për ngjarjet në të cilat dyshohet të jetë përfshirë banda, por edhe për emra të tjerë të përfshirë në këto aktivitete kriminale të përmendura për herë të parë, seanca e djeshme është shoqëruar me debate të shumta mes avokatëve dhe Colit, si dhe avokatëve dhe prokurorit të çështjes, Anton Martini. I gjendur përballë një situate të tillë, gjyqtari kryesues u ka tërhequr vëmendjen palëve, duke ndërprerë seancën për 10 minuta. Debati ka vijuar edhe më pas, gjatë kohës kur i penduari dëshmonte për tentativat e dështuara të grupit të Dokles për të vrarë Lulzim Berishën, në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së Klodian Saliut. Gjatë kësaj dëshmie është përmendur sërish L.K., i cili sipas dëshmitarit ka qenë një ndër personat që ka ndihmuar në disa tentativa për vrasjen e Lul Berishës, jo vetëm me ide, por edhe me armë. Më pas, sipas burimeve brenda seancës, i penduari ka rrëfyer si dështoi tentativa e parë për të vrarë Lulin, për të cilën do jepnin 100 mijë euro, si dhe atentati i dytë ku Luli u plagos. Këto kanë qenë dy episodet për të cilat ka dëshmuar dje i penduari, ndërkohë që në seancën e të enjtes së ardhshme pritet të rrëfejë të tjera tentativa të dështuara për vrasjen e Berishës, të cilin e akuzonin për vrasjen e Klod Saliut. Në këtë seancë është debatuar edhe për emrat e dala një seancë më parë.

Tentativa e parë e dështuar për vrasjen e Berishës

Ndërsa unë, Indriti dhe L.K. shkuam te lokali “Trieste” në plazhin e Durrësit për t’u qetësuar për ngjarjen, gjatë rrugës po bisedonim për vrasjen e Klodit dhe L.K. tha me 100 firma e jap unë që Lul Berisha e ka vrarë. Kur shkuam te lokali e gjetëm A.A. që ka qenë shofer i L.K. dhe nipin e tij. Më pas shkova në shtëpinë time që i lajmërova familjes vrasjen e Klodit dhe u ktheva tek lokali “Trieste”. Më vonë unë dhe Indrit Dokle shkuam te shtëpia e Klodit ndërsa L.K. nuk erdhi. Aty lajmëruam prindërit e Klodit dhe pasi sollëm trupin e Klodit nga Tirana e bëmë gati. Të nesërmen në varrim nuk erdhi asnjë nga këta kundërshtarët e tij, as Luli e as shokët e tij. Mbaj mend që erdhi babai i Indrit Taullajt. Pas vrasjes së Klodit unë me Indritin u angazhuam për të marr hak. Luli, 4–5 ditë para vrasjes së Klodit kishte shkuar në Turqi dhe erdhi të nesërmen e varrimit të Klodit. Me Indritin ne blemë një makinë “Passat”, të cilën do ta përdorim për vrasjen e Lulit. Kjo makinë ishte pa targa dhe ishte e vjedhur jashtë shtetit. Makina kishte një ngjyrë ulliri të hapur. Indriti nëpërmjet shoqërisë së vetë thirri për të kryer vrasjen e Lul Berishën, dy persona nga Burreli, njëri me emrin Ervin dhe tjetri Alban. Dy personat nga Burreli Indriti i gjeti tek Altin Olloni, që banon në “Komunën e Parisit” në Tiranë. Në fillim erdhi Altini në Durrës që të takojë Indritin dhe ne u takuam te shtëpia e Altinit. Te shtëpia, i thamë Altinit i thamë na gjejë dy persona dhe do t’ju japin 100 mijë euro për vrasjen e Lulit. Dua të them se Indriti ka qenë shok që shumë kohë më parë me Altin Ollonin. Altini na tha që u gjej unë. Unë mora një shtëpi me qira në qytetin e Durrësit tek muzeumi i dëshmorëve nëpërmjet agjencive që merren me dhënien e shtëpive me qira. Kjo shtëpi është në katin e tretë të një pallati 5-katësh, përballë ish-punishtes së Bozes dhe lekët i kam paguar me faturë për 6 muaj. Këtë shtëpi do ta përdornim me Ervinin dhe Albanin. Këta të dy kanë ardhur 2–3 ditë para të 40-ve të Klod Saliut dhe i solli Indriti te shtëpia që zumë me qira. Kur erdhën tek shtëpia me qira shkuam unë me Indritin dhe këta të dy. Indriti u tregoi të gjitha fotografit e Lulit që kishim dalë në kohën kur ishim bashkë. Atë natë bëmë plane se si do të qëllojmë Lulin. Armët i morëm te shtëpia e Klodit dhe u dhamë dy automatikë “Skorpions” me numra të fshirë, një pistoletë dhe një pistoletë të vogël, të gjitha me sileciator. Ne bëmë plane që të vrisnim Lulin tek lokali i tij “Cerra’ una volta”. Unë i mora dy çunat dhe i dërgova nëpër rrugica deri te lokali i Lulit natën dhe u tregova vendin kur lokali ishte i mbyllur. Ata e kontrolluan vendin dhe e shëtitën në këmbë për ta njohur më mirë. Ata nuk kishin qenë asnjëherë në Durrës. Ata kërkuan dhe shofer për të drejtuar makinën, pasi nuk e njihnin qytetin. Indriti u interesua për shofer dhe një shok i tij solli kunatin e vet nga ferma e Sukthit. Ne i treguam shoferit se na duhet për të drejtuar makinën që do përdorim për vrasjen e Lulit dhe do i jepnim 20 mijë euro. Shoferi ra dakord dhe ditën kur u mbushën 40 ditë nga vrasjen e Klodit, Ervini, Albani dhe shoferi u nisën për të vrarë Lulin. Shkojnë me makinën që e blemë, me targa gjermane false që ia vendosi Rid Xhunga dhe dy shok të tij, ku njëri u arrestua pas kësaj ngjarjeje. Albani dhe Ervini pasi shkuan te lokali zbritën dhe po shihnin për Lulin. Në atë momente Luli ishte futur te bashkia. Në ato momente ata për të mos rënë në sy që po prisnin Lulin hynë në makinë dhe filluan të bëjnë xhiro përreth bashkisë. Duke bërë xhiro, i pikasi një polic rrugor, i cili i ndaloi dhe në momentin që i pa armët në makinë, kërkoi përforcime. Shoferi, Albani dhe Ervini i ofruan lekë policit rrugor që t’i linte, por ky nuk pranoi dhe ata ikën me vrap duke lënë makinën aty së bashku me armët. Ky organizim dështoi dhe ata thirrën në telefon Indritin dhe i thanë se vrasja dështoi. Dua të theksoj se armët që i lanë në makinë çunat në makinë ishin të pastra, pra nuk ishin të përdorura më parë në ndonjë rast tjetër, pasi ne nuk mbanin armë të pista në shtëpi, që mos të kishim probleme.

Plagosja e Lul Berishës, atentati

T’i kthehemi edhe njëherë përpjekjeve që kemi bërë për vrasjen e Lul Berishës. Një javë rresht Sela së bashku me Ervinin dhe Albanin ka ruajtur Lulin për ta vrarë tek lokali i tij “Cerra’ una volta” te Fermentimi. Pamë se ata nuk po arrinim ta qëllonin Lulin. Ne menduam që t’i bëjmë një intrigë Lulit. Për këtë qëllim shkuam me taksi së bashku me Indritin tek pallatet e reja tek “Vollga” dhe takuam L.K. Pasi e takuam, bëmë muhabet dhe i thamë që neve nuk kemi gjë me Lulin dhe i thamë L.K. që po deshe, ai të vijë të pijë kafe me ne. Pasi bëmë këtë muhabet me L.K., unë me Indritin u nisëm për në Tiranë dhe shkuam tek shtëpia e Indritit. Kur shkuam në shtëpi, po atë natë e mori në telefon L.K. Indritin dhe i tha që të vinte me Indrit Taullajn që të na takonte. Ne i thamë që të vinte dhe të na takonte në Tiranë dhe lamë takim tek 21-shi tek shtëpia e Indritit, në një lokal poshtë shtëpisë tek Drejtoria e Taksave. Vonë në darkë erdhi L.K. me Indrit Taullajn dhe me një djalë tjetër, i cili përdori makinën e L.K.-së. Pasi u ulëm tek lokali, filluam bisedën dhe Indrit Dokle i tha Indrit Taullajt që çfarë kishte me neve, po ta dimë se jemi hasmë na thuaj që jemi hasmë, në qoftë se nuk kemi gjë në rregull, ne s’jemi komandantë, se komandantët vdesin shpejt. Indrit Taullaj i tha që nuk kemi gjë dhe as mos e vrit trurin. Mbasi ndenjëm një copë herë me njëri-tjetrin dhe bëmë shaka, u ndamë dhe unë me Indrit Doklen shkuam tek shtëpia e të dashurës së Dokles, ku na priste Sela me Ervinin. Të nesërmen Ervini me Selën me pistoleta në brez u nisën për në Durrës për të vrarë Lul Berishën. Të dy ata shkuan në Durrës me furgon. Aty rreth orës 10:00 Luli del nga shtëpia dhe Ervini që po e ruante tek polici që rri në kryqëzim, i lajmëron Selës që po e priste tek stacioni i trenit se “Benz”-i i Lulit është duke ardhur. Luli afrohet para lokalit të tij, zbret nga makina dhe po bënte shaka me Isuf Morinën dhe me një tjetër me mbiemrin Haxhiaj. Sela ishte në trotuarin përballë lokalit dhe afrohet avash-avash pranë Lulit. Kur i afrohet rreth dy metra pranë tij nxjerr pistoletën, e mbush dhe ia drejton Lulit për ta qëlluar. Në fillim qëllon Isuf Morinën pasi Luli e shtyu përpara tij. Në atë moment fut dorën në brez ai që e kishte mbiemrin Haxhiaj dhe Sela e qëllon edhe atë dhe vazhdon duke qëlluar në drejtim të Lulit. Luli rrëzohet në tokë dhe në këtë moment pistoleta e Selës ngeci dhe nuk mund të qëllonte më. Pastaj Sela iku me vrap dhe Luli thërret me të madhe “oj none oj none”. Sela pas kësaj ikën dhe vjen në Tiranë dhe u takuam me të tek shtëpia e të dashurës së Dokles. Ne e pyetëm se si ndodhi ngjarja dhe ai na tregoi gjithë ngjarjen siç e thashë më sipër. I thamë nëse e kishte vrarë, por ai na tha se nuk e kishte vrarë dot. Atëherë neve i dhamë atij 25 mijë euro dhe Selën e nisëm për në Burrel. Në darkë shkuam tek shtëpia e Indritit dhe na mori në telefon L.K. Telefonin e hapi Indriti dhe L.K. i tha “o Indrit çfarë na bone”. Indriti i thotë në telefon që unë skam bërë gjë dhe nëse ti mendon se unë kam bërë gjë, thuaj Lulit që të vijmë dhe ta takojmë tek shtëpia e tij në Durrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›