Verhagen: Serbia nuk po bashkëpunon me Hagën
Bruksel - Ministri i Jashtëm holandez, Maxime Verhagen ka deklaruar se Serbia nuk ka bashkëpunuar siç duhet dhe siç ka premtuar me Hagën lidhur me dorëzimin e shumë të kërkuarve për krime lufte. “Serbia duhet të tregojë se po bashkëpunon plotësisht me Gjykatën e Krimeve të Luftës, në Hagë, në hetimet për arrestimin e ish-komandantit të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç”, tha ai teksa kritikoi Beogradin zyrtar duke se pavarësisht mundësive që ka, nuk po mban premtimet. "Shenja më e qartë e bashkëpunimit të plotë është dorëzimi i personit të fundit që kërkohet nga Gjykata e Hagës, që është Mlladiç, i cili është i akuzuari kryesor nga kjo gjykatë", shtoi Verhagen. Kjo çështje është shumë e rëndësishme për Holandën sepse Mlladiç akuzohet për gjenocid dhe për masakrimin e rreth 8 000 myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995, që paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara të vendosur në qytet nuk mundën të parandalonin.