E Diel, 1 Nëntor 2026

Verifikimet, probleme me tokat bujqësore

05/02/2010  Qarku kërkon grupe të specializuar për inspektimin edhe të 1500 hektarëve nën ujë
SHKODER- Grupet e punës që po verifikojnë në terren dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e janarit të këtij viti, po përfundojnë me sukses punën e tyre. Ndonëse koha ka qenë e pafavorshme dhe terreni jo i përshtatshëm për t’u kaluar normalisht grupet e punës tashmë kanë përfunduar shumicën e verifikimeve në terren, ndërkohë që duhet ende punë për verifikimet e dëmeve në tokat bujqësore.
Toka bujqësore
Nisur nga sipërfaqja e madhe dhe shkalla e lartë e ekspertizës për dëmet që janë shkaktuara në tokat bujqësore, kryetari qarkut të Shkodrës Gjovalin Kolombi, i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë dërgimin dhe të katër grupeve të ekspertëve. Këto grupe duhet të vlerësojnë saktësisht dëmet jo vetëm në tokat që tashmë nuk janë të përmbytura, por edhe të rreth 1500 hektarëve që janë nën ujë. Ndërkohë grupet e punës të përcaktuara para rreth një jave kanë pasur rezultate pozitive në sajë të bashkëpunimit të ngushtë edhe me drejtuesit e njësive vendore, ku janë njohur edhe me të gjithë dokumentacionin që disponohet nga ana e tyre, me të dhënat përkatëse dhe kanë bërë vlerësimin direkt në terren në qytetin e Shkodrës, si dhe në komunat Dajç, Bushat, Bërdicë, Velipojë, Guri i Zi, Ana Malit, Rrethina, Qendër Koplik. Deri tani rezultatet e kësaj pune kanë sjellë verifikimin e 1083 objekteve të banimit, ndërsa janë verifikuar 1072 subjekte bujqësore. Për sa u përket dëmeve në sektorin e blegtorisë, deri tani janë verifikuar 1097 subjekte blegtorale. Vlerësimi i dëmeve është bërë edhe për biznesin. Sipas të dhënave të marra nga shtabi i ngritur pranë qarkut të Shkodrës, deri tani ka përfunduar verifikimi i 73 subjekteve të biznesit ku janë dokumentuar dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Njëkohësisht shtabi i mbikëqyrjes së verifikimeve të dëmeve pranë qarkut të Shkodrës bën të ditur se gjatë verifikimit të dëmeve në banesa është arritur në konkluzionin se po arrihej drejt përfundimit të këtij procesi. Ky verifikim ka përfunduar në komunën e Anës së Malit, duke bërë që procesi i verifikimit të dëmeve në banesa të përfundojë tashmë në 6 komuna. Sot pritet që këto verifikime të përfundojnë edhe në Bashkinë e Shkodrës dhe në komuna të tjera. Për sa u përket verifikimeve të subjekteve bujqësore dhe blegtorale, ky proces ka ecur mirë, por në mënyrë që të realizohet në një kohë sa më të shkurtër të mundshme, është kërkuar dhe Ministria e Bujqësisë ka dhënë dakordësinë e saj për të ngritur edhe 4 grupe të tjera me specialistë të bujqësisë në mënyrë që këto grupe t’i shtohen grupeve të punës që po bëjnë vlerësimin e dëmeve në zonat më problematike. Duhet thënë se sipërfaqja e përmbytur është mjaft e madhe dhe verifikimi i dëmeve kërkon më shumë kohë se sa në rastin e banesave. Grupet e punës po punojnë me përkushtim maksimal, në mënyrë që verifikimet të kryhen brenda afateve të përcaktuara në VKM-në përkatëse.
Verifikimet
Gjithashtu, nga ana e Drejtorisë rajonale të Tatimeve është komunikuar përfundimi i procesit të verifikimit dhe dokumentimit të dëmeve pranë subjekteve të biznesit. Në total janë verifikuar dhe dokumentuar dëmet në 73 biznese, nga të cilat 50 persona fizik dhe 23 persona juridik. Pritet vetëm dorëzimi i një materiali përfundimtar me vlera konkrete. Ndërkohë pakënaqësi të shumta janë reklamuar në zonën e Livadheve të qytetit të Shkodrës, ku banorët e kësaj zone informale shprehen se deri tani nuk ka pasur asnjë verifikim në terren nga grupet e punës. Një përfaqësi e banorëve të kësaj lagjeje informale, buzë Liqenit të Shkodrës ka bërë takim dhe me prefektin e qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, ku i kanë bërë të ditur dëmet e shkaktuara dhe mungesën e verifikimeve. Ata kanë kërkuar nga prefekti Cungu, ndërhyrje me kompetencat që i jep ligji për të dërguar grupet e verifikimit të dëmeve, si dhe të ndihmave që po u shpërndahen zonave të tjera, sidomos me bazë ushqimore për bagëtitë. Nga ana e tij, prefekti Cungu ka sqaruar banorët e Livadheve se të gjitha zonat e përmbytura po verifikohen, ndaj natyrisht edhe lagja “Livadhe” do të merret në konsideratë nga grupet e punës. Sipas prefektit Cungut, mosvajtja e grupeve të punës në Livadhe, në mënyrë të njëkohshme me zonat e tjera ka ardhur për shkak të grafikut të përcaktuar për verifikimin e zonave dhe jo nga shkaqe, apo preference politike siç pretendon një pjesë e banorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›