E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rigjykimi, ditë jeshile për ekstradimin e të kërkuarve “VIP”

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Janë arrestuar në vende të ndryshme të Evropës për llogari të drejtësisë shqiptare, por ngërçet procedurale kishin kthyer në mision të pamundur vënien e tyre në bankën e të akuzuarve. Ngërçi në ligj duket se tashmë është zgjidhur duke i hapur rrugë kështu kthimit në vendin e origjinës dhe rigjykimit. “Vip”-at e botës së krimit, procedurat e ekstradimit për të cilat kanë mbetur pezull, duket se do të shohin dritë jeshile pas ndryshimeve në procedura. Rivendosja në afate dhe rigjykimi, që deri dje kanë mbajtuar larg më të kërkuarit nga drejtësia jonë, tashmë janë vendosur dhe pritet vetëm nisja e procedurave të ekstradimit.
Procedurat
Ngërçi i ligjit që mbante larg bankës së të akuzuarve Aldo Baren, Izet Haxhinë e Zylfie Haklajn ka marrë rrugën e zgjidhjes. Burime nga Ministria e Drejtësisë, bëjnë të ditur se tashmë vendi ynë është më afër ekstradimit të tyre, për shkak të hyrjes në fuqi të rivendosjes së afateve dhe rigjykimit, për personat e dënuar në mungesë. Ende në pikëpyetje mbeten procedurat për të dyshuarit për krime të rënda, të cilët kanë fituar azil politik në vende të ndryshme.
“VIP”-at e kërkuar
Kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, i dyshuar për urdhërimin e apo pjesëmarrjen në rreth 11 vrasje, ndodhet i arrestuar në Turqi. Megjithëse pritet vendimi i drejtësisë së atjeshme për të thënë fjalën e fundit, ndryshimi në procedura duket se të favorizojë vendimin në favor të palës shqiptare. Ndërkohë mësohet se tashmë drejtësisa shqiptare mund të ketë më shumë siguri në ekstradimin e Izet Haxhisë e Zylfie Haklajt. Gjithashtu, për të dyshuarit nga drejtësia shqiptare që ndodhen në Britaninë e Madhe rruga e bashkëpunimit është hapur dhe ekstradimet mes dy vendeve nuk hasin më asnjë pengesë. E njëjta procedurë është ndjekur dhe me drejtësinë italiane, pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy palëve.

Rigjykimi
Sipas Kushtetutës sonë, një i hetuar mund të dënohet në mungesë, ndërkohë që në vendet perëndimore nuk njihet kjo praktikë. Dhe këto vende, gjatë gjithë kohës, kanë treguar shenja të mëdha mosbesini për të ekstraduar të dënuarit. Fakti që kemi arritur të kryejmë një ekstradim nga Britania e Madhe tregon një hap para dhe mundësinë për të ekstraduar të gjithë të kërkuarit. Nuk do të kemi më asnjë problem teknik për ekstradime.
Është Ministria e Drejtësisë ajo që jep garancitë e nevojshme që, këta shtetas të dënuar në mungesë, të rivendosen në afat dhe të rigjykohen në lidhje me akuzat e ngritura nga drejtësia dhe më pas të vuajnë dënimin.

Precedent
26 maj 2006
Arrestohet në Ankara të Turqisë kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Aldo Bare, emri i vërtetë i të cilit është Alfred Shkurti, ishte drejtuesi i bandës kriminale të njohur me emrin e tij. Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen për vrasjen dhe dekapitimin në korrik të vitit 1997 të Artur Dajës, për vrasjen në vitin 2000 të agjentit të policisë Klejdi Bano, për vrasjen e mbetur në tentativë të ish-shefit të policisë Sinan Meta, për vendosjen e eksplozivit në stadiumin e Lushnjës, për vendosjen më 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të policisë, Idriz Shuli, për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut, për vendosjen në mars të vitit 2005 të eksplozivit në një apartament në rrugën "Don Bosko" në Tiranë, për vrasjen në korrik të vitit 2005 të Baki Taullajt, për vendosjen e eksplozivit në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala, dhe për një numër vrasjesh të tjera.

30 qershor 2006
Arrestohet në Turqi, Izet Haxhia. I dënuari me 25 vjet burg për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, ka përfunduar në pranga në një zonë turistike në Turqi. Haxhia, i dënuar me vendim të formës së prerë për vrasjen në bashkëpunim të deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, më 12 shtator të vitit 1998 ishte i vetmi i dënuar që gëzonte lirinë. Sipas deklarimit të Ndroqit, i cili u referohet të dhënave të policisë turke, Haxhia ka jetuar në Stamboll deri në fund të vitit 2004, ndërsa më pas është zhvendosur në zonën turistike të Antalias në Kushadasi ku edhe është kapur prej forcave të policisë së shtetit turk, gjatë një operacioni të kryer prej forcave speciale. Haxhia është larguar nga Shqipëria pak kohë pas trazirave të 13 dhe 14 shtatorit të vitit 1998, të ndodhura në Shqipëri një ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit.

16 prill 2008

Është arrestuar në Goteborg të Suedisë e shumëkërkuara nga drejtësia shqiptare Zylfie Haklaj. Gjykata e Tiranës e ka dënuar atë me 25 vjet burg në mungesë, pasi u cilësua fajtore për vrasjen e Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit dhe plagosjen e Izet Dushës e Hysen Biberajt, më 2 prill 2002, në qendër të Bajram Currit. Në vendimin e gjykatës thuhet se Zylfie Haklaj e ka kryer krimin në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e katër vëllezërve, Shkëlqim, Halil, Fatmir dhe Ylli Haklaj.
Arrestimi i Haklajt është bërë nga forcat speciale suedeze teksa maskohej si burrë. Në vendin skandinav ndodhet gjithashtu dhe Hamdi Haklaj, vëllai i Zylfies, i cili ka përfituar azil politik.
Ky lajm është publikuar: 30/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›