E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do të vazhdoj me Berishën dhe më 2009”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ministri i Mjedisit dhe Kryetari i PAA, Lufter Xhuveli, në një intervistë ekskluzive për “Ballkan”, rrëfehet për herë të parë për marrëdhëniet e tij me kryeministrin Berisha, marrëveshjen për hyrjen në koalicion më 2005, marrëveshjen që ka arritur paraprakisht me liderin e mazhorancës si dhe pozicionimin e partisë së tij në zgjedhjet e 2009-ës. Xhuveli, gjithashtu, zbardh për herë të parë dhe sistemin e funksionimit të koalicioneve të ashtuquajtura të përbëra si dhe shpërndarjen e votave që do t u bëhen partive të tjera të koalicionit të qendrës së djathtë, përveç listës qendrore të deputetëve. Ai ka deklaruar me siguri të plotë se qeverisja me Berishën ka qenë për PAA realizimi më i mirë i programit të kësaj partie si dhe nuk shikon asnjë arsye tjetër se përse të mos jetë më 2009 përkrah Berishës në zgjedhjet kombëtare.

Nga dita e hënë nis punimet Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, cili do të jetë qëndrimi i agraro-ambientalistëve për Kodin e ri Zgjedhor, dhe a do të jetë ky qëndrim i njëjtë me atë të PD-së?

Ne përfaqësohemi në këtë komision me deputetin tonë, por sidoqoftë, çështjet aty jam i bindur se do të diskutohen në mënyrë më konkrete, pasi të jetë paraqitur versioni i parë fillestar për hartimin e Kodit Zgjedhor. Ne do të kërkonim që varianti që do të futet për diskutim në komisionin parlamentar të jetë i plotë dhe të kenë një harmonizim maksimal nenet, pasi shpeshherë në të shkuarën ka ndodhur që janë miratuar pjesë të veçanta të ligjit në fillim dhe më pas pjesë të tjera të kodit. Një tjetër çështje që ne do të kërkojmë është që ky komision të përfundojë me qetësi të plotë, duke pasur gjithë kohën e nevojshme përpara, jo se kjo i ka munguar, por kanë munguar variantet për diskutim, në mënyrë që të mos arrijmë të miratojmë Kodin në ditët e fundit të afatit që ka caktuar Parlamenti. Brenda shtatorit duhet që të përfundojë gjithçka, ky është afati. Kjo kërkon një bashkëpunim midis partive parlamentare dhe në mënyrë të veçantë midis anëtarëve të komisionit zgjedhor të mazhorancës nga njëra anë, ku PAA-ja bën pjesë, dhe midis gjithë partive të tjera. Do të doja të theksoja se anëtarët e komisionit duhet të kenë kohë të mjaftueshme për të konsultuar variantet në diskutim me partitë e tyre dhe më pas të shprehim qëndrimin.

A duhet të ketë një koordinim të partive të mazhorancës në fillim dhe më pas të shkohet në diskutimin konkret të ligjit?

Fillimisht mendoj se duhet të ketë konsultim dhe diskutim në parim për çështjet themelore të Kodit Zgjedhor dhe mbi këtë bazë të zhvillohen dhe diskutimet konkrete, sugjerimet apo opsionet mbi draftin e shkruar apo të paraqitur, gjithnjë draft i vetëm, por mund të jenë dhe dy apo më shumë variante për kodin. Ne paraprakisht kemi rënë dakord si mazhorancë për një mënyrë të bashkëpunimit gjatë procesit të ardhshëm zgjedhor dhe fushatës elektorale. Me sa duket, kjo mënyrë, e cila është bërë e qartë nga ana jonë, është duke gjetur një shprehje pozitive edhe tek varianti i PS-së. Cili ka qenë ky qëndrim apo formë bashkëpunimi që ne kemi rënë dakord? Kur miratuam ndryshimet kushtetuese në Parlament që kishin të bënin me sistemin zgjedhor, ne u pajtuam për të kaluar një sistem zgjedhor “Proporcional Rajonal”. Duke hapur një bashkëbisedim të disahershëm me njëri-tjetrin (partitë e pozitës) kryesisht me drejtuesit e PD-së për të gjetur një formulë, sipas të cilës, ky sistem i ri zgjedhor pra “Proporcional Rajonali” të mos jetë asgjësues, përjashtues për partitë e tjera, por ato të marrin pjesën që u takon. Domethenë, për atë shkallë mbështetësish që do të kemi nga elektorati shqiptar aq dhe deputetë të marrim në Kuvend. Kjo ka qenë marrëveshja në parim që ne kemi bërë me njëri-tjetrin. Dhe që në atë kohë u përvijua një mënyrë, e cila sot emërtohet si “lista e përbërë”, për të cilën po flitet shumë, edhe unë dhe kolegë të mi jemi shprehur para disa muajsh kur u votuan ndryshimet, për mënyrën e konceptimit të listave të përbëra. Pra ne jemi shprehur që të ketë një koalicion të partive të mazhorancës, koalicioni të marrë si listë votat e tij dhe mbi këtë bazë të ketë dhe numrin e deputetëve, por brenda tij, të gjitha partitë që marrin pjesë në të, të kenë shënuar emrin e tyre dhe secili votues shqiptar të ketë mundësi të votojë për atë parti që dëshiron brenda koalicionit. Pastaj se si do të bëhet shpërndarja e votave të koalicionit për çdo rajon, ky është një detaj që mbetet të precizohet gjatë diskutimit të Kodit Elektoral. Ne mendojmë se ato që nuk do të jenë në gjendje të marrin deputetë në këtë sistem në këtë mënyrë, në rajonet respektive, atëherë votat e tyre të mos u kalohen partive të tjera brenda koalicionit, por të ketë një listë qendrore apo një rajon të 13, në thonjëza, ku do të transferohen këto vota dhe të mblidhen e mbi këtë bazë të përcaktohet më pas numri i deputetëve për çdo parti, pra, mbi bazën e numrit të votave. Pra, në thelb, çdo parti të ketë mundësinë të votohet nga elektorati dhe çdo parti të marrë aq deputetë sa vota do t i japë elektorati shqiptar.

A është e domosdoshme të bashkohet mazhoranca, qendra e djathtë, në një politikë të përhershme për çdo çështje?

Kjo ka ndodhur, natyrisht që mund të kishte ndodhur më shpesh, por ka nevojë që ky konsultim, bashkëbisedim i përfaqësuesve të partive të koalicionit të ndodhë më shpesh gjatë ditëve në vijim, të cilat do të jenë ditë përcaktuese për hartimin dhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Është e domosdoshme që ne të përcaktojmë një qëndrim, të zgjedhim atë formulë të kodit për të maksimalizuar votat e partive dhe për rrjedhojë dhe ato të mazhorancës, në mënyrë që të arrihet fitorja në zgjedhjet e ardhshme. Po qe se nuk do të ndodhë kjo, atëherë forca e mazhorancës zbehet dhe do të jetë në dëm të rezultatit të fushatës në 2009-ën. Është e domosdoshme të shmanget humbja e votave dhe humbja e interesit të partive dhe, nëse kodi do të përfundonte në një mënyrë të tillë, që partive t u humbasin votat dhe këto vota t u kalonin disa partive të tjera, atëherë interesi i partive bie, forca e koalicionit zbehet dhe mund të ketë gjëra të tjera të padëshirueshme.

Në këtë mandat qeverisës sa është zbatuar programi i agraro-ambientalistëve nga qeveria “Berisha”?

Ka pasur një përfaqësim të mirë të programit tonë në programin e qeverisë. Kur nënshkruam marrëveshjen me kryeministrin Berisha, në bazë të saj ishin tri pikat e programit tonë. Çështje e parë ka qenë mbështetja e bujqësisë dhe e fshatit shqiptar, dhe kjo ka gjetur shprehjen e vet në shumë drejtime dhe zhvillime pozitive, si me kullimin, me ujitjen me përmbytjet, nxitjes së fermerëve për zhvillimin e pemëtarisë, vreshtarisë dhe ullishteve, në forcimin e kontrollit për ushqimin në tërësi. E dyta ka qenë mosprekja e ligjit 7501, dhe të gjithë e kanë vënë re, edhe pse ai ligj e ka humbur peshën e vet dhe nuk luan më ndonjë rol, dhe fakti që ne e kemi fiksuar në marrëveshjen me PD-në dhe që nuk është prekur, dëshmon për plotësimin e dyanshëm të programit tonë për çështjen e tokës. Sigurisht që do të vijë një ditë që ai ligj nuk do të jetë më i nevojshëm, por do të jetë i nevojshëm sanksionimi që ndarja e tokës sipas atij ligji të mos preket. Përjashto këtu rastet kur është abuzuar në emër të 7501, po qe se është abuzuar natyrisht, ajo ndarje ku rezulton të jetë abuzuar duhet të rishikohet, për këtë u miratua tashmë dhe ligji përkatës. Çështja e tretë ka qenë ridimensionimi i problemeve të mjedisit, dhe mund të them me siguri që edhe kjo pikë ka ecur mirë. Sigurisht që do të kishte nevojë për më shumë investime dhe probleme për mjedisin, por ato që janë realizuar në këto tre vjet dhe që vazhdojnë dhe në këtë vit të fundit të mandatit tonë qeverisës, nuk kanë krahasim me ato të katërvjeçarit të shkuar. Janë disa projekte që mund të përmenden, si në fushën e pyjeve, landfilleve të përpunimit të inerteve si dhe komplekseve të përpunimit të ujërave të ndotura në gjithë bregdetin shqiptar, nga Lezha në Sarandë, por dhe në zonat turistike të Ohrit, Pogradec, i cili do të përfundojë në vitin 2009. Dhe kam bindjen që për këto pika të programit tonë do të bëhet akoma dhe më shumë në të ardhmen. Kjo jo vetëm në këto pika, pasi programi ynë tashmë ka marrë një dimension më të madh me këtë qeveri, pasi ajo pasqyrohet tashmë në infrastrukturë, në përmirësimin e jetës së fshatarësisë, rrugët që kanë filluar të bëhen atje, asfaltimi i tyre, rritja e pensioneve për fshatin dy herë më të larta se ato të qytetit etj.

A do të vazhdoni të zbatoni programin e partisë suaj, pra të PAA, në të njëjtin koalicion me kryeministrin Berisha dhe në zgjedhjet e 2009?

Po. Ne jemi në politikë dhe kjo politikë ka dinamikën e vet, por ka një llogjikë, e cila duhet të funksionojë në çdo rast. Dhe logjika jonë është kjo: ne jemi përfshirë në këtë koalicion me PD-në dhe ky koalicion ka funksionuar, marrëveshja jonë me Berishën ka funksionuar. Marrëdhëniet bilaterale kanë qenë reciprokisht korrekte dhe për aq kohë sa ky koalicion funksionon, nuk ka asnjë arsye për të menduar për zgjidhje të tjera apo për koalicione të tjera. Ne do të dëshironim që ky bashkim të funksiononte siç ka funksionuar deri tani dhe të vazhdojmë këtë rrugë së bashku, pa e dëmtuar dhe pa e cenuar për vitin që ka mbetur dhe kam bindjen që kështu do të ndodhë.

Intervistoi Plarent Shehu
Ky lajm është publikuar: 30/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›