E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ miraton listën e 14 partive, skadon afati për 8 subjekte të tjera

Pas miratimit të listave të PS-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë mbledhjes së djeshme miratoi edhe listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë për 14 subjekte zgjedhore që do të konkurrojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Që në fillim të mbledhjes, ekspertët e Drejtorisë Juridike të KQZ-s, paraqitën dokumentacionin e plotësuar në përputhje me Kodin Zgjedhor të rreth 14 partive që do të garojnë në zgjedhje. Ndërkaq, afati i fundit i përcaktuar në Kodin Zgjedhor për plotësimet në dokumentacionin e kandidimit nga ana e partive politike, ishte ora 19:30 e ditës së djeshme. Disa ditë më parë KQZ-ja refuzoi listat shumëemërore të disa subjekteve për plotësim të dokumenteve të kandidatëve për shkak të mangësive të konstatuara dhe për mos përmbushje të kërkesave të kodit zgjedhor, sidomos në kriterin e kuotës gjinore të përfaqësimit në masën 30%. Kështu, gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve, pasi kishin plotësuar mangësitë e konstatuara, miratoi listat shumëemërore të këtyre partive: Partisë Aleanca Demokratike, Partisë Toleranca e Re, Partisë G 99, Partisë Socialdemokrate, Partisë Balli Kombëtar, Partisë Ligj dhe Drejtësi, Partisë Republikane, Partisë së Reformave Demokratike Shqiptare, Partia Socialiste e Vërtetë '91, Partisë Forca Albania, Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Partisë së të Drejtave të Mohuara, Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe Partisë Aleanca e Re. Nga 36 subjekte zgjedhore të regjistruara në Komision, deri tani janë pranuar listat e kandidatëve për 28 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ditës së sotme, pra në datën 28 maj. Afati i fundit i përcaktuar në Kodin Zgjedhor për plotësimet në dokumentacionin e kandidimit nga ana e partive politike, ishte ora 19:30 e ditës së djeshme. Partitë politike që i kanë dorëzuar që në fillim listat konform ligjit janë të parashikuar në Kodin Zgjedhor janë:  Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Mbrojtja e të Drejtave të Emigrantëve dhe Partia e Gjelbër. Ndërkaq, Partia Socialiste, jo vetëm që i ka dorëzuar me vonesë listat në KQZ, por asaj iu gjetën shumë parregullsi, sidomos në përfaqësimin e grave, megjithatë, në paraditen e pardjeshme, KQZ-ë miratoi edhe listën me 140 kandidatë të PS-së, pasi kjo e fundit kishte bërë ndryshimet e kërkuara. Ndërkaq, për të plotësuar kuotën e femrave në lista, PS-ja ashtu si PD-ja, kanë përdorur të njëjtën hile, duke paraqitur më shumë emra sesa mandate, ndërkohë një gjë e tillë është pranuar nga KQZ-ja.  Pra, plotësimi i kuotës së femrave është realizuar formalisht në listat për kandidatë, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore në Kodin Zgjedhor. Ky është postulati ligjor që kanë përdorur dy partitë më të mëdha për të plotësuar kërkesën ligjore që të kenë në listat e saj shumëemërore 30 për qind përfaqësim nga secila gjini. Këtu, më konkretisht bëhet fjalë për shfrytëzimin e një vakumi që ekziston në Kodin Zgjedhor, në nenin 67 të tij, ku përcaktohet numri minimal i kandidatëve që duhet të paraqesë një forcë politike në listat e saj për çdo qark, por jo ai maksimal, duke e lënë atë të hapur. Ndërkohë, dje ka mbaruar afati përfundimtarë për pranimin dhe miratimin e listave për deputet, duke mbetur jashtë rreth 8 subjekte zgjedhore. Megjithatë, me gjithë shkeljen e Kodit Zgjedhor, KQZ-ja ka vendosur që sot të shqyrtojë edhe listat e këtyre partive të mbetura. Një problem tjetër që po cenon procesin e zgjedhjeve të qershorit, sipas KQZ-së është edhe vonesat nga vendorët për dorëzimin e listave të votuesve. KQZ u bëri dje apel sërish njësive vendore që të dorëzojnë sa më parë listat me emrat e votuesve pa kaluar data 30 maj. Në një deklaratë zyrtare, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, shprehu shqetësimi e thellë për shkeljet flagrante të Kodit Zgjedhor nga mjaft drejtues të pushtetit vendor, në dorëzimin brenda afateve të listës përfundimtare të zgjedhësve. Duke vënë në dukje se papërgjegjshmëria e këtyre drejtuesve po rrezikon procesin zgjedhor, kryetari i KQZ-së theksoi se mos përmbushja e detyrimit ligjor të dorëzimit brenda afateve të listës përfundimtare të zgjedhësve, shkakton vonesa të rrezikshme në përgatitjen e bazës logjistike apo dhe materialeve të tjera zgjedhore. Kreu i KQZ-së paralajmëron se ata që shkelin afatin do të përballen jo vetëm me masa administrative (sikundër ndëshkimi i mëparshëm administrativ me 50 mijë lekë ndaj 77 drejtuesve vendorë), por do të shikohet me vëmendje nëse këto veprime përbëjnë edhe abuzim me detyrën. Janë rreth 12 njësi vendore që ende nuk kanë dorëzuar listat e votuesve në KQZ-ë, duke penduar kështu shtypjen e fletëve të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›