Veron: Hakmarrje ndaj Milanit!
24/03/2005 Është një Veron i rilindur ai që po tërheq Interin drejt atyre pak objektivave sezonalë që kanë mbetur. Vetë mesfushori argjentinas flet me optimizëm për të ardhmen: “Është një moment mjaft i mirë për mua, sepse po arrij të bëj të lehta edhe gjërat më të vështira dhe skuadra po përfiton, duke luajtur mirë”. Po afrohet euroderbi kundër Milanit, përplasje që Veron nuk mundi ta luante para dy vitesh, sepse ishte te Çelsi. “E sigurtë është që duhet të hakmerremi për shumë derbi të humbur. Mungesa e mundshme e Adrianos? Nuk duhet të shqetësohemi më shumë sesa duhet, sepse kemi sulmues të tjerë shumë të mirë dhe nuk do të kemi probleme”, vazhdon Veron, i cili kujton me kënaqësi një derbi të kohërave kur luante me Lacion, kur një goditje dënimi e transformuar mrekullisht nga argjentinasi i dha Lacios një fitore të barabartë me titullin: “Do të ishte një ëndërr, nëse do të përsëritej diçka e tillë kundër Milanit. Megjithatë, nuk më mbetet qejfi nëse shënojnë shokët e mi, pasi më intereson vetëm kualifikimi”, përfundon deklaratën e tij Veron.