E Martë, 3 Nëntor 2026

Fiore më pranë Juventusit

24/03/2005  Duket se ka mbërritur në finish aventura e Stefano Fiores në radhët e Valencias, pasi ish-mesfushori i Lacios ka luajtur vetëm 7 minuta në 5 ndeshje, që nga largimi i trajnreit Klaudio Ranieri. Një vit më parë, Fiore linte Lacion dhe transferohej në Spanjë, duke treguar entuziazëm të pamasë për aventurën e re. Tani, kur duhen edhe disa muaj nga fundi i sezonit, Fiore është penduar rëndë për braktisjen e vendlindjes së tij. Në fillim kanë ardhur problemet e ambientimit, që e kanë lënë jashtë Kombëtares italiane, por pas largimit të Ranierit, gjërat janë keqësuar akoma më shumë. Në ndeshjen e fundit, trajneri Antonio Lopez e ka lënë në stol, duke futur mbrojtësin Marçena në vend të të dëmtuarit Baraha, i cili ka të njëjtat karakteristika me Fioren, ndaj italiani ka “shpërthyer” në një radio spanjolle: “Nuk e kuptoj se si mund të luajë një mbrojtës në rolin tim. Tani ka mbetur vetëm Palop (portieri i dytë) që të më zerë vendin. Në Itali isha një ndër mesfushorët më të mirë, ndërsa këtu nuk e kuptoj përse nuk po luaj. Të paktën jam futur 7 minuta në 5 ndeshje”, deklaron me ironi Fiore, i cili po planifikon që tani rikthimin në Itali. Në gjurmët e mesfushorit është vënë Juventusi, që gëzon marrëdhënie shumë të mira me klubin spanjoll dhe mund të përfundojë gjithçka shumë shpejt. Problemi i vetëm qëndron tek shifra që kërkojnë spanjollët, 8,5 milionë euro, shifër që Juventusi dëshiron ta amortizojë duke futur në ofertë edhe mbrojtësin Birindeli, lojtar që u intereson spanjollëve, por nuk dihet nëse dëshirojnë më futbollistë italianë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›