E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vërshon uji, në rrezik 10 banesa në Bushat

21/04/2010 Nën ujë 1300 ha tokë. Ngrihen për të tretën herë shtabet e emergjencave

Ushtria dhe policia fillojnë evakuimet e banorëve të rrethuara nga uji

TIRANE- Dhjetëra shtëpi janë “pushtuar” nga uji, ndërsa banorët e tyre janë strehuar në tek të afërmit. Kjo është situata gjatë përmbytjes së tretë të fushës së nën Shkodrës, ku ashtu si në dy përmbytjet e para shkak i kësaj situate është bërë hapja e portave të tre hidrocentraleve në lumin Drin. Prej dy ditësh gjendja është përkeqësuar ndjeshëm, ku për fatin e keq të banorëve të zonës së Nënshkodrës, uji ka shkatërruar gjithçka për të tretën herë në një kohë fare të shkurtër. E veçanta e kësaj përmbytje, e cila dallon ndjeshëm me atë të muajit janar dhe shkurt është se uji që derdhet nga digat e kaskadës së lumit Drin dhe atij të Kirit e Gjadrit, po përhapet në zonë me shpejtësi të madhe, ku për tre ditë numri i sipërfaqes tokësore të përmbytur ka shkuar në rreth 1300 hektarë. Shkak i kësaj janë bërë dy përmbytjet e para, të cilat sipas specialistëve të tokës kanë shkatërruar gjithë argjinaturat, si dhe në të njëjtën kohë ka lënë të ngopur me ujë sipërfaqen tokësore. Ky fenomen tani jo vetëm që po ndikon në zgjerimin e shpejtë të hartës së përmbytjeve, por në të njëjtën kohë ai rrezikon të shembë edhe banesat që janë ndërtuar në zonë. Ekspertë të ndërtimit pohojnë se, lagështira e tepërt ka ndikuar në dobësimin e themeleve dhe mureve mbajtës, çka ka sjellë edhe plasaritjen e disa shtëpive në fshatrat e mbuluara nga uji. Aktualisht situata më problematike paraqitet në fshatin Obot të komunës Ana e Malit, i cili është izoluar nga uji, si dhe në fshatin Ashtë të komunës Bushat ku kërcënohen nga ujërat 10 shtëpi për shkak të erozionit në bregun e Drinit, banorët e të cilave po evakuohen nga efektivët e policisë së shtetit dhe Forcave të Armatosura. Duke theksuar faktin se situata është rënduar dhe ka precipituar në mënyrë të shpejtë, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha kërkoi gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror, bashkëpunimin e të gjitha institucioneve përkatëse në terren dhe një ndjekje të vëmendshme për të parandaluar dëme të mëtejshme të infrastrukturës primare dhe sekondare dhe për të garantuar jetën dhe sigurinë e banorëve të zonës.

Dëmet në të mbjella

Përmbytja e tretë në zonën e Nënshkodrës ka sjellë më shumë se kurrë dëme në bujqësi, pasi në stinën e pranverës shumë nga bimët dhe kulturat bujqësore që rriten në këtë krahinë, aktualisht sapo kanë çelur. Sipas ekspertëve të bujqësisë, dëmi ekonomik mund të llogaritet me mijëra euro, pasi në zonë banorët kishin kultivuar kulturat e domates, patates e të tjera. Ndërkohë që dëme janë konstatuar edhe në kultura të tjera si: rrushi, molla, dardha, kultura këto që tashmë kanë sezonin e çeljes. Kjo është përmbytja e tretë brenda një kohe fare të shkurtër mujore. Gjithçka filloi kur në muajin janar 2010 fusha e Nënshkodrës u mbulua nga uji, dhe që prej asaj kohe e deri tani, një pjesë e tokës vazhdon të qëndrojë nën ujë dhe rrezikon të kthehet në kënetë.

Ministri Lulzim Basha

Lidhur me rikthimin e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, mblodhi dje Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të shqyrtuar situatën e krijuar. Basha deklaroi se situata në krahasim me përmbytjet e mëparshme nuk mund të konsiderohet e agravuar, por precipitimi i situatës ka qenë shumë i shpejtë dhe për këtë arsye kjo kërkon një monitorim të plotë, një gatishmëri të plotë të të gjithë institucioneve dhe një koordinim sa më të mirë të gjithë ministrive të linjës dhe pushtetit vendor. Basha përcaktoi si detyra kryesore marrjen e masave nga Drejtoria e përgjithshme e Rezervave të Shtetit për të stokuar ujë të pijshëm dhe një sasi ushqimesh për ndërhyrje në rast përkeqësimi të situatës nga vërshimi i ujit.

Dëmshpërblimi në dilemë

Vërshimi i ujit për të tretën herë, ka sjellë dëmtimin e shumë pajisjeve dhe materialeve të ndryshme që disponoheshin nga fshatarët e zonës. Për këtë qëllim ata kërkojnë sërish dëmshpërblim nga qeveria shqiptare, pasi sipas tyre ajo është shkaktare për hapjen e portave të HEC-ve. Pak ditë më parë, qeveria kreu dëmshpërblimin e disa prej banorëve të dëmtuar, duke i dhënë familjeve nga 1 mijë euro. Nuk dihet me saktësi nëse një dëmshpërblim i dytë do të ndodhë apo jo, por qeveria shqiptare ende nuk ka dëmshpërblyer të dëmtuarit e përmbytjes së parë dhe asaj të dytë. Lidhur me situatën e përmbytjes, në muajin janar kur fusha e Nënshkodrës dhe gjysma e Shkodrës u mbulua nga uji, në Shqipëri erdhën shuma ndihma materiale dhe financiare nga vendet e BE-së.

Shtabi i emergjencave në mbledhje

Pikat ku ka vërshuar më tepër uji në ShkodërShtimi i prurjeve të ujërave të lumit Drin dhe për rrjedhojë dhe i shkarkimeve nga tre hidrocentralet Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës të kësaj kaskade kanë detyruar mbledhjen urgjente të Shtabit të Emergjencave Civile të qarkut Shkodër që në orët e vona të mbrëmjes së të hënës. Mbledhja e këtij shtabi kishte si qëllim marrjen e masave për të mbajtur nën kontroll situatën pasi ishte lajmëruar për një shtim të prurjeve të ujit në zonën e Nënshkodrës. Ndërkohë gjatë gjithë natës ka pasur shkarkime më të mëdha uji nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit, çka solli dhe përmbytje në disa zona të rrethit Shkodër. Përmbytjet janë vënë re që mëngjesin e së martës në harkun e Bërdicës në rrugën nacionale Shkodër-Tiranë pranë hyrjes së qytetit. Nga kjo pjesë e rrugës nacionale dhe përgjatë rrugës së Velipojës ka pasur përmbytje në sipërfaqe të mëdha toke ndërkohë që uji ka dalë mbi 20 centimetër mbi rrugë. Nën ujë ndodhet dhe rruga që lidh komunën Ana e Malit me Obotin. Rikthimi i këtyre përmbytjeve ka shkaktuar irritim tek banorët.

Mbledhja e pushtetit lokal në Shkodër

Pone: Situata nuk është aspak alarmante, janë marrë masaPërfaqësuesit e qeverisë po monitorojnë situatën dhe po bëjnë mbledhje të njëpasnjëshme të Shtabit të Emergjencave Civile. “Nuk jemi akoma në gjendje emergjente, jemi në gjendje kujdesi të shtuar. Ne dëgjuam raportin e kryetarëve të komunave dhe shtabit të emergjencave në Shkodër për të shtuar kujdesin maksimal për jetën e qytetarëve, për lajmërimin e tyre, për sigurimin e jetës publike, komunikacionit normal, ardhjen në ndihmë të tyre, që nga ujësjellësi e deri tek qendrat shëndetësore, shkollat”, ka theksuar pas mbledhjes së djeshme të shtabit të emergjencave civile Shkodër, zv/ministri i Brendshëm, Ferdinad Pone. Më pas gjatë inspektimit në terren zv/ministri Pone ka theksuar se situata nuk është aspak alarmante, por vetëm ka një përkeqësim situate, ndërkohë që ka nënvizuar faktin se janë marrë të gjitha masat për mbajtjen nën kontroll të situatës. “Janë kontaktuar të gjithë drejtuesit e komunave që kanë rrezik përmbytjeje, që të mbajnë kontakte të vazhdueshme me Shtabin e Emergjencave Civile”, tha Pone.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›