Veseli, i dobishëm për Manchester Unitedin

Ai thotë se mbrojtësi kosovar mund të luajë në pozita të ndryshme në mbrojtje, por edhe në mesfushë. Si i tillë, kosovari me pasaportë zvicerane mund të jetë i dobishëm për ekipin nga ‘Old Trafford’
“Veseli është një lojtar me qasje defanzive të lojës, i cili mund të luajë si qendërmbrojtës, në pozitën e mbrojtësit të krahut, por edhe si mesfushor qendror. Ai ka luajtur në pozita të ndryshme dhe për këtë, Veseli është një lojtar shumë i përshtatshëm”, ka deklaruar Joyce për ueb faqen zyrtare të klubit manutd.com.
Ndërkohë, edhe vetë Sir Alex Ferguson ditë më parë ishte deklaruar i kënaqur me transferimin e Veselit në ‘Old Trafford’. Strategu skocez kishte bërë me dije se do ta ftojë Veselin në ekipin e parë, nëse tregohet i suksesshëm me ekipin e rezervistëve.
Në javën e kaluar, Veseli pati një debutim të hidhur me rezervistët e gjigantit anglez. Ai është inkuadruar në lojë si zëvendësues gjatë pjesës së parë të ndeshjes, të cilën të rinjtë e Manchester Unitedit e fituan me rezultat 2:1 ndaj Boltonit. Por, 19 vjeçari u detyrua që në minutën e 78-të ta braktisë fushën e blertë shkaku i një lëndimi që e pësoi në këmbë.
Transferimin e Veselit nga Manchester City në Manchester United mediet angleze e kanë konsideruar si një pasardhës të mundshëm të mbrojtësit serb Nemanja Vidiç.
19 vjeçari ishte transferuar në Manchester City ne vitin 2008 nga ekipi zviceran Lausanne-Sport. Ai ishte kapiten i përfaqësueses U-19 të Zvicrës në Botërorin e vitit 2009, derisa paraqitjen e parë me Manchester Citin e pati bërë në verën e kaluar në një turne përgatitor.
Ai vazhdimisht luante me ekipin e rezervistëve të Manchester Cityt, pasi nuk kishte arritur ta bindte Roberto Mancinin ta inkuadrojë në ekipin e parë, i cili përbëhet nga lojtarë që janë blerë me shuma marramendëse të parave.