E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashnia ia rrezikoi karrierën

Ndarja me të dashurën e kishte shtyrë Berat Hysenin të mendonte që ta lë futbollin. Sulmuesi prishtinas, i varur nga alkooli, në sezonin 2010/2011 filloi të ndahet edhe nga topi. Por, fal këshillave të Afrim Tovërlanit e Fidaim Haxhiut, ai shpëtoi karrierën. 25 vjeçari gjatë vjeshtës ia doli të këndellet duke u bërë golashënuesi më i mirë i Superligës, të cilin epitet synon ta mbajë deri në fund të sezonit.

Golashënuesit më të mirë të Superligës, Berat Hyseni, para fillimit të këtij sezoni i kishte shkuar mendja të tërhiqej krejtësisht nga futbolli. Pagat e dobëta dhe izolimi i futbollit nuk ishin arsye pse sulmuesi prishtinasi ishte në prag të pensionimit të parakohshëm.

Por, Hyseni kishte menduar të tërhiqej të paktën përkohësisht nga futbolli për krejt diçka tjetër – për shkak se vuante nga prishja e një lidhjeje dashurie që e kishte pasur me një vajzë, me të cilën edhe kishte bashkëjetuar për tri vite e gjysmë.

Me përfundimin e edicionit 2009/10, kur me Trepçën e kishte fituar titullin e kampionit, 25 vjeçarit i kishte përfunduar edhe lidhja me ish të dashurën e tij. Ndarja e kishte tronditur Hysenin, i cili veç e humbi famën, që me mund e kishte ndërtuar për disa vite rresht.

Edicionin 2010/11 ish sulmuesi i Prishtinës e nisi me Trepçën ’89, por gjithnjë i vuante pasojat që ia kishte shkaktuar ndarja nga e dashura. Kështu, ai nuk e gjeti vetën në stadiumin ‘Riza Lushta’, prej nga kaloi te Hysi, për të cilin luajti deri në fund të edicioni, por pa sukses.

Edhe në Merdarë, prishtinasin e përcolli ‘mërzia’ e ndarjes me ish të dashurën, faktor ky që e bëri 25 vjeçarin të mendojë më shumë për alkoolin sesa për topin

“Ishte një periudhë shumë e vështirë dhe nuk e kisha të lehtë ta përballoja, pasi u ndava tashmë me ish të fejuarën time, me të cilën kisha bashkëjetuar për tri vite e gjysmë. Me të pata filluar të bashkëjetoja kur pata shkuar në Shqipëri për të luajtur me Teutën e Durrësit, edhe pse lidhjen e kishim nisur më herët këtu në Kosovë”, ka rrëfyer Hyseni për Express.

“Vërtet e përjetova rëndë atë ndarje, e cila më devijoi për një kohë. Vetëm jetën e natës e ndiqja dhe konsumoja sasi të madhe të alkoolit. Kështu, as që më binte ndërmend për futboll. Nganjëherë tentoja t’i kthehesha normalitetit, por assesi nuk ia dilja”, shtoi Hyseni.

Gjatë kohës kur luante për Hysin, ish futbollisti i Tiranës kishte marrë edhe një goditje tjetër pasi theu dorën. E kjo bërë që Hyseni të largohet nga fusha e blertë. Por, këshillat që mori nga dy ish trajnerë bënë që Berati të zgjohej nga ‘gjumi’.

“Thyerja e dorës ishte një goditje tjetër e rëndë për mua. Atëherë e kontaktova ish trajnerin tim të Prishtinës, Afrim Tovërlanin. Ia shpjegova gjendjen time. Ai më tha: ‘Ose fillo të punosh shumë seriozisht para fillimit të kampionatit 2011/12, ose tërhiqu krejtësisht prej futbollit’. Këshilla e tij më ndihmoi shumë. Si lojtar i lirë nisa të ushtroj shumë, i vetmuar. Më pas u riktheva te Trepça. Trajneri Fidaim Haxhiu e kuptoi situatën time dhe më ndihmoi shumë të këndellem. Prandaj Tovërlani e Haxhiu ma shpëtuan karrierën time të futbollistit dhe u jam mirënjohës”, vazhdoi ish lojtari i Flamurtarit.

Kështu, me fillimin e edicionit 2011/2012 nisi një ‘jetë e re’ për Beratin. Ai ia doli t’i lë prapa vetes vuajtjet e ndarjes me ish të dashurën, derisa i tha lamtumirë jetës së natës e alkoolit.

Iu përkushtua maksimalisht futbollit. E mundi iu shpërblye, pasi në sezonin vjeshtor me Trepçën i shënoi 9 gola, me të cilat u ngjit në krye të listës së golashënuesve më të mirë.

Kjo bëri që me përfundimin e sezonit vjeshtor, Hysenin ta vërshojnë ofertat e klubeve tjera të Superligës. Por, ai e zgjodhi Trepçën ’89, me të cilën synon që në pranverë ta fitojë titullin e kampionit dhe epitetin e golashënuesit më të mirë.

“Brenda 12 xhirove i shënova nëntë gola. Pra, m’u shpërblye mundi që dhashë për t’iu rikthyer normalitetit. Pra, thuhet se ‘çdo e keqe e sjell një të mirë’. Me përfundimin e stinorit vjeshtor iu bashkova Trepçës ’89. Po punojmë shumë. Besoj fuqishëm se do ta fitoj titullin e kampionit. Unë do ta ndihmoj ekipin me gola. Dua të qëndroj deri në fund në krye të listës së golashënuesve. Për këtë jam optimist”, nënvizoi Hyseni i cili tregoi se tani është afër ta nisë një lidhje të re me një vajzë tjetër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›