Veshjet tradicionale shqiptare ekspozohen në Kuvend

Ambientet e Kuvendit, për të disatën herë i janë kushtuar tërësisht kulturës dhe traditës shqiptare. Kësaj radhe, nën kujdesin e Kryetares Jozefina Topalli, është shpalosur ekspozita e veshjeve tradicionale e pagëzuar me emrin "Me duar të arta".
Në këtë ekspozitë përfshihet tradita, kultura, historia, etniciteti, identiteti shqiptar. Koleksioni i veshjeve të ekspozuara përmban modele në të cilat riprodhohen në mënyrë artizanale dhe ruhen me besnikëri tiparet origjinale të krahinave që ato përfaqësojnë.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se ndihej krenare për faktin se shqiptarët kanë trashëguar nga e kaluara veshje popullore të mrekullueshme, që e bëjnë shumë të veçantë kulturën dhe identitetin kombëtar të trevave të ndryshme.
Ekspozita e cila u realizua nga punimet me dorë të stilistes Edlira Sula, u vizitua nga ambasadorë, artistë, akademikë, deputetë, etj. Pasi ka veshur një prej veshjeve, ambasadorja britanike në Tiranë Fiona Mcllwham tha se ky aktivitet nderon kulturën dhe historinë e Shqipërisë.
Nga ana e saj, stilistja Edlira Sula tha se koleksioni i paraqitur në ekspozitën "Me duar të arta" është fryt i një pune shumëvjeçare dhe i një tradite familjare të trashëguar brez pas brezi. "Çdo gjë që do të thoja, nuk do të arrija ta thoja më mirë se nëpërmjet kësaj ekspozite," tha zonja Edlira Sula.