Nënshkodra, ende e paterur që nga fillimi i janarit
Mijëra hektarë tokë mbeten nën ujë në Komunën e Velipojës. Fermerët ankohen për verifikim fiktiv të dëmeve
Ndërsa procesi i verifikimit të dëmeve nga përmbytjet e fillimit të vitit është drejt fundit, në zonën e Nënshkodrës me mijëra hektarë tokë ndodhen ende nën ujë. Fshatrat Cast dhe Luarëz të Komunës së Velipojës vazhdojnë të jenë të përmbytura. Në këto fshatra rreth 1500 ha tokë janë të mbuluara nga ujë, ndërkohë që edhe 500 ha tokë në zonën fushore mes Velipojës, Ura e Gjo Lulit deri në Mal të Jushit në Bushat nuk janë tharë ende nga uji. Përveç problemit se fermerët e zonës nuk mund të punojnë tokën, ata ankohen se grupet e verifikimit nuk kanë regjistruar siç duhet dëmet që kanë shkaktuar përmbytjet, për shkak se toka është ende e mbuluar me ujë. Fran Marku, banor i fshatit Cast, duke folur për gazetën “Shqip” tregon se: “Jemi në një situatë ende të rëndë. Uji është larguar nga shtëpitë, por tokat tona janë ende të mbuluara nga uji. Nuk mund të punojmë tokën dhe nuk kemi ku të nxjerrim bagëtitë për t’i ushqyer. Por më shqetësues është fakti se grupet e verifikimit nuk duan të dinë se çfarë ka ajo tokë nën ujë. Kemi pakënaqësi, se ne duam që grupi i verifikimit të vijë kur uji të ketë ikur për të parë dëmet reale. Ndërsa këta ia fusin me hamendje se çfarë mund të ketë nën ujë. Kjo sjell abuzime, pasi janë 1500 ha vetëm në Velipojë të mbuluara me një metër ujë dhe askush nuk mund të vërtetojë se me çfarë ka qenë e mbjellë kjo tokë”. Ndërkohë, Këshilli i Qarkut të Shkodrës, që menaxhon punën e grupeve të verifikimit, në një komunikim me mediat është shprehur se procesi i verifikimit për banesat ka përfunduar në të gjithë zonën e përmbytur. Nga verifikimet ka rezultuar se 1282 shtëpi janë të dëmtuara, ndërsa janë në vazhdim verifikimi dëmet në bujqësi dhe blegtori. Deri tani janë verifikuar 2152 subjekte bujqësore, si dhe 1980 subjekte blegtorale. Sipas drejtuesve të Këshillit të Qarkut, deri nesër përfundon verifikimi totalisht, si për sektorin e ndërtimit ashtu edhe të bujqësisë dhe blegtorisë në komunën e Gurit të Zi, Bushatit, Ana e Malit. Në këtë mënyrë po shkohet drejt përfundimit të të gjithë procesit të verifikimit të dëmeve brenda kësaj jave.
#