E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirësohet qarkullimi për shkak të borës

Nga Express më 14 dhjetor 2010 në ora 17:16

Bora, e cila nuk është ndalur që nga mëngjesi i së martës, nëpër gati të gjitha qytetet e Kosovës, ka bërë që disa rrugë të bëhen gati të pakalueshme.

Pas reshjeve të borës është vështirësuar dukshëm qarkullimi i automjeteve nëpër rrugët e Kosovës, ku deri në orët e pasdites kanë ndodhur mbi tridhjetë aksidente, kanë konfirmuar zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Brahim Sadrit thotë se gjendja momentale e rrugëve llogaritet e kalueshme, por me disa vështirësi. Madje sipas tij, si shkak i borës ka ndodhur edhe një aksident.

“Një aksident e kemi në magjistralen Drenas-Skenderaj, ndërsa kemi një rritje të aksidenteve në rajonin e Prishtinës ku te rruga “1 tetori”, kemi një aksident zinxhiror me tri vetura”, thekson Sadriu për Express, sipas të cilit të reshurat e borës kanë bërë që vështirësi të kenë kryesisht rrugët që të qojnë në pikat kufitare.

“Kryesisht vështirësitë janë në pikën e kalimit kufitar Kullë, vendkalimi tjetër kufitar Glloboqicë, pjesa e rrugës për në Brezovicë dhe rruga për në Mutivodë”, thotë zëdhënësi Brahimi. Duke e parë rrezikun nëpër rrugë, ai thotë se policia ka lajmëruar edhe kompanitë të cilat bëjnë pastrimin e rrugëve nga bora.

“Dihet që është sezon i dimrit dhe mund të ketë ndonjë vështirësi por ne u bëjmë apel ngasësve të makinave që të kenë kujdes kur të jenë në komunikacion”, tha Sadriu.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›