Vestervele: Integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në dyshim nga BE-ja
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervele, ka deklaruar se integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në dyshim nga asnjë shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
Në përfundim të takimit të shefave të diplomacive të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel, Vestervele ka thënë se “ata që dëshirojnë të hyjnë në BE nuk guxojnë të mbështesin dhunën” dhe se për eurointegrimin e Serbisë, me rëndësi parësore janë marrëdhëniet e mira me Kosovën.
“Për ne, integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në dyshim. Prandaj këtë çështje do ta shqyrtojmë në momentin kur do të vendosim për dhënien e statusit të kandidatit Serbisë. Për këtë çështje do të bisedojmë me partnerët tanë evropianë. Ne mendojmë se përparimi varet nga ajo se çka ne do të përfitojmë nga ato shtete që dëshirojnë të hyjnë në BE, dhe ne kërkojmë bashkëpunim, e jo konflikte”, ka thënë Vestervelle.
Vestervelle ka thënë gjithashtu se edhe shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk e vënë në dyshim integritetin territorial të Kosovës dhe të gjithë ata, sipas tij, janë të pajtimit se “konfliktet nuk mund të zgjidhen përmes konflikteve, por përmes bashkëpunimit”.
“Unë kam qenë atje dhe e kam parë situatën. Dhunën nuk duhet ta përkrahin ato vende që dëshirojnë të anëtarësohen në BE”, ka nënvizuar Vestervele.