E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq, bleu një fëmijë vetëm 10 mijë lekë

Prokuroria e Krimeve të Rënda
ka dërguar në gjykatë
dosjen ndaj Kujtim Demirit,
i akuzuar për trafik fëmijësh.
Procedimi penal ka filluar në muajin
janar të këtij viti, megjithëse
dosja ishte pezulluar më parë nga
Prokuroria e Tiranës. Nga tërësia
e akteve rezulton se i pandehuri,
pas muajit shkurt të vitit 2002,
është larguar nga Shqipëria, duke
mbërritur në Greqi së bashku me
të dëmtuarin H.Sefa. Sipas
akuzës, Demiri i ka krijuar kushtet
dhe mundësitë, duke e detyruar,
të dilte dhe të lypte në rrugë. Sipas
akuzës, i pandehuri e ka njohur
të dëmtuarin në Tiranë, pasi
ka pasur marrëdhënie fqinjësie
dhe krushqie me të. Demiri ka
shfrytëzuar gjendjen e vështirë
ekonomike të të atit dhe ia ka blerë
fëmijën e mitur të quajtur H.Sefa.
"Çmimi i blerjes ishte njëqindmijë
lekë të vjetra, ndërkohë që të
dyja palët, i pandehuri dhe shtetasi
S.Sefa kanë rënë dakord që,
përveç çmimit të shitjes, S.Sefa do
të merrte çdo muaj një shumë në
masën prej njëqindmijë lekësh të
vjetra, te familja e shtetasit Kujtim
Demiri. I dëmtuari do të nxirrej jashtë
shtetit për të lypur, me qëllim
përfitimin material", thuhet në
dosje. Sipas saj, metoda që ka përdorur
i Demiri për të shtënë në
dorë të dëmtuarin është propozimi
dhe arritja e marrëveshjes me
të atin e të dëmtuarit. Pas mbërritjes
në Greqi, Demiri, nën ushtrimin
e dhunës në disa raste, ka
arritur të realizojë nxjerrjen e të
miturit në rrugë për të lypur. Sipas
prokurorisë, të gjitha fitimet e
nxjerra nga veprimtaria e ushtruar
si lypës nga ana e të dëmtuarit,
kanë shkuar në favor të të pandehurit
Kujtim Demiri.
"Mënyra e përdorur nga i pandehuri
për të krijuar lidhjen me të
dëmtuarin, duke i premtuar një
jetë më të mirë, që do të sigurohej
nga lypja, e shoqëruar me elemente
të tjerë, përbën rekrutimin
e të dëmtuarit për efekt shfrytëzimi.
Pas kësaj faze, i pandehuri
merr të gjitha masat për t‘u larguar
me të dëmtuarin jashtë shtetit,
duke lëvizur në mënyrë ilegale",
thuhet në kërkesën e organit të
akuzës.Sipas saj, në kohën kur ka
ndodhur ngjarja, i dëmtuari ishte
i mitur. "Si përfundim konkludojmë
se nga aktet e administruara
në dosje të përftuara nga hetimet
rezulton se me veprimet e tij
që konsistojnë në: rekrutimin dhe
transportimin e të dëmtuarit të
mitur H.Sefa me qëllim shfrytëzimin
e tij, për punë skllavëruese
siç është ajo e lypjes, i pandehuri
Kujtim Demiri ka konsumuar elementet
e veprës penale të
trafikut të qenieve njerëzore",
përfundon prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›