E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët mbledhin sot Asamblenë

Partia Socialiste do të mbledhë sot Komitetin e Përgjithshëm Drejtues. Në këtë takim pritet që drejtuesit e selisë rozë të merren me çështjet organizative. Një pjesë të konsiderueshme të axhendës do ta ketë organizimi i strukturave për të bërë të mundur monitorimin e zbatimit të Kodit të Ri Zgjedhor. Degët lokale do të porositen që të mund të ndjekin në vijimësi çështjen e hartimit të listave zgjedhore, apo më tutje edhe procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Kreu i socialistëve Edi Rama do të japë direktiva të gjëra për anëtarët e asamblesë teksa ndodhemi vetëm shtatë muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Në këtë linjë socialistët pritet të lançojnë tanimë fazën e luftës së ashpër përballë shumicës qeverisëse. Aksion që padyshim pritet të konkretizohet me frytet e tij në rezultatin e zgjedhjeve. Më parë selia rozë kishte ngritur edhe shtabet të cilat do të punojnë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore. Lidershipi do mund të informohet nga këto struktura për ecurinë e përgatitjeve gjatë gjithë muajve të mbetur deri në zgjedhje. Shtabi i fushatës ka për eksponent kryesor drejtuesin e Asamblesë Kombëtare të partisë Gramoz Ruçin. Bashkë me të janë angazhuar edhe figura të tjera drejtuese që bëjnë pjesë në sekretariat dhe Kryesinë e partisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›