E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Apelit, emërohet drejtuesi në Qarkun e Tiranës

• TIRANE – Prezantohet në detyrë drejtuesi i ri i Prokurorisë së Apelit të Tiranës. Shkëlqim Hajdari, ish-prokuror në Prokurorinë e Tiranës u prezantua dje në organin e akuzës në Shkallën e Dytë për Qarkun e Tiranës.

Pak ditë më parë, Presidenti Bamir Topi me propozim nga Kryeprokurorja Ina Rama, dekretoi transferimin e prokurorit Shkëlqim Hajdari, nga Prokuroria e Tiranës dhe emërimin e tij në drejtimin e Prokurorisë së Apelit. Ky institucion ka në përbërje dhjetë prokurorë dhe disa oficerë të Policisë Gjyqësore, ndërsa juridiksioni gjyqësor i kësaj prokurorie shtrihet nga kryeqyteti në Krujë, Mirditë, Dibër, Laç dhe Bulqizë. I dekretuari në Prokurorinë e Apelit të kryeqytetit, prokurori Shkëlqim Hajdari, vjen në këtë detyrë pas një karriere të gjatë në Prokurorinë e Tiranës, ku ka marrë pjesë në hetimin e ngjarjeve më të bujshme, që kanë ndodhur në kryeqytet vitet e fundit. Prokurori i Apelit të Tiranës ishte në grupin e oficerëve të Prokurorisë, që hetuan dosjen penale për vrasjen e Azem Hajdarit, ndërsa më pas ai vijoi zhvillimin e procedimeve të tjera duke marrë edhe detyrën e prokurorit. Pak vite më parë, Shkëlqim Hajdari u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, për shkak të angazhimit të tij në diskutimet rreth përmirësimeve ligjore të statusit të prokurorisë dhe përsosjes së formave procedurale-ligjore të ushtrimit të ndjekjes penale. Burimet nga prokuroria e Përgjithshme thanë se emërimi i Shkëlqim Hajdarit në krye të Prokurorisë së Apelit është bërë me qëllimin për të vënë në “lëvizje” këtë institucion, i cili gjatë viteve të fundit është konsideruar “i vdekur” nëpër korridoret e organit të akuzës. Prokuroria e Apelit është një shkallë më lart në hierarki sesa prokuroria e rrethit mund të ankimojë apo të rishikojë vendimet e dhëna nga prokuroria apo gjykata e shkallës më të ulët. Gjithashtu Prokuroria e Apelit mund të verifikojë zbatimin e afateve hetimore dhe gjyqësore, zbatimin e procedurave të hetimit nga prokurorët dhe shumë aspekte të tjera. Një problematikë e veçantë e cila mund të zgjidhet nga prokuroria e Apelit është zvarritja pa fund e proceseve gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë të kryeqytetit. Pas emërimit të drejtuesit të ri në Prokurorinë e Apelit të kryeqytetit sipas akuzës qendrore pritet që ky institucion të jetë më aktiv në përmbushjen e hapësirave ligjore të veprimtarisë së saj.             tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›