E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetel në "Pole", zhgënjen sërish Ferrari

Një Sebastian Vetel vrasës. Gjermani i Red Bull ka konfirmuar parashikimet e parafillimit të provave dhe ka fituar "pole position" e Çmimit të Madh të Turqisë. Ai ka mundur as më pak e as më shumë se dy makinat BraunGP të Xhenson Baton e Rubens Barrikelo, të cilët kanë qenë deri tani dominuesit e sezonit. Dy pilotët janë rikthyer në nivele të larta pas një paraqitjeje jo të mirë në provat e lira. Pas tyre vjen edhe makina tjetër Red Bull e Veber dhe Tojota e Jarno Trulit, të cilat u shfaqën shumë të shpejta. Në vendin e gjashtë dhe të shtatë pozicionohen makinat Ferrari të Kimi Raikonen e Felipe Masës. Ndoshta nuk ishte paraqitja që pritej pas provave të lira të së premtes apo edhe atyre të mëngjesit të djeshëm, ku braziliani ishte përpara të gjithëve. Megjithatë, makinat F60 kanë shfaqur përmirësim dhe sot mund të luajnë një rol prej protagonisti. Ky është një sinjal i shumëpritur pas një paraqitjeje të mirë në garën e Monakos. "Do të thosha se jemi në rregull, por do të varet nga strategjitë e të tjerëve, analizon Raikonen, ka qenë e vështirë t‘i bëjë gomat të funksiononin. Tani duhet të shikojmë se cilat janë ngarkesat e benzinës në makinat përkatëse. Gjithsesi, ne po përmirësohemi nga dita në ditë". Kohën e tetë më të mirë e ka regjistruar Fernando Alonso me një Renault plot probleme (Nelsinjo Piket u eliminua në seksionin e parë). Ndërsa dështimi i ditës ka qenë Luis Hemilton. Anglezi i Meklaren ka luftuar, por nuk ia ka dalë dhe është eliminuar që në seksionin e parë të provave. Vërtet një prezantim i keq për skuadrën Uoking, kur merr në konsideratë edhe faktin se edhe Kovalainen është eliminuar në të njëjtin seksion, pasi u rendit i 14-ti. Në krahasim me ditën e premte, ai i djeshmi ka qenë një sinjal shumë i keq për "Shigjetat e Argjendta", të cilat e shikojnë vetën në vështirësi të mëdha. "Fërkimi i gomave më asfaltin nuk është i mirë, ka thënë Luis, më mungon rritmi, makina nuk po ecën mirë. Ka qenë një ditë e vështirë. A ka ndryshim kur përdor gomat e buta apo gomat e forta? As më njërën dhe as më tjetrën makina nuk po ecte mirë, shpresojmë që sot të rregullohet diçka". Tashmë po bëhet gjithë edhe më e mundshme, që Niko Rosberg (i renditur dje i teti) të përfundojë në skuadrën MekLaren për vitin 2010. Këtë e ka konfirmuar vetë piloti në një intervistë për "Indipendent", në të cilën ka saktësuar gjithashtu se Uilliams ka një opsion mbi të për sezonin e ardhshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›