Një darkë e ftohtë në Teatrin Kombëtar
alma mile
Kur gati tre muaj më parë nga zyra e shtypit të Teatrit Kombëtar u njoftua se në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitej dramatizimi i romanit “Darka e gabuar” e Ismail Kadaresë, vetiu të lindte dyshimi nëse shfaqja teatrale do të mund të ruante nivelin e veprës së mjeshtrit të letrave. Një vepër e vështirë, e veshur nga fillimi në fund me një tis misteri, me një mori karakteresh e ngjarjesh që zhvillohen në disa rrafshe kohore, që nga Lufta e Dytë Botërore, vitet e diktaturës e thellë në kohërat e Ali Pashë Tepelenës. Pas dy muajsh përgatitjeje, drama “Darka e gabuar”, nën regjinë dhe dramatizimin e Fatos Haxhirajt, u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar. është shfaqur përgjatë 5 netëve dhe duhet thënë se salla ka qenë e mbushur plot. Emri i Kadaresë dhe kurioziteti se si do të dramatizohej një nga veprat e tij më të vështira, duket se e kanë bërë efektin. Drama ishte menduar në dy pjesë. E para na çonte në Gjirokastër, në momentin e mbërritjes së trupave gjermane. Në skenën e realizuar nga Taulant Pustina, e cila ta krijonte idenë e një qyteti të gurtë, pse jo edhe të zymtë, hyjnë e dalin personazhe. Duke dashur të ruajë sa më shumë karaktere nga vepra e Kadaresë, Haxhiraj sjell një numër të madh aktorësh në skenë. Aty është edhe Llukani, i burgosuri që nuk e mbaron dot dënimin për shkak të ndryshimit të pushteteve dhe pushtimeve, edhe Lamja, qejfliu i femrave që dëshpërohet me ikjen e “zonjëzave” erëmira të shtëpive publike, të ngritura nga italianët, edhe gagaçi, edhe Vehip Qorri, që bën bejte, e shumë të tjerë. çdo njëri prej tyre marrë veç e veç ofrojnë karaktere, por fatkeqësisht, ata nuk formojnë dot një ansambël. Kjo situatë e shpërndarë nuk ia ndërtonte natyrshëm rrugën darkës së famshme, shtruar nga Doktor Gurameto (Bujar Asqeriu) për nder të komandantit nazist, ish-shokut të shkollës, Fritz Von Shvabe (Ndriçim Xhepa). Në vepër mungonte dinamizi. Nuk ndihej atmosfera e luftës, nuk ndihej ankthi tek gjirokastritët për çfarë do të ndodhte me ardhjen e gjermanëve e aq më shumë me 80 pengjet, që nazistët i morën në çdo 10 shtëpi, si shpagim i goditjes nga ana e “rebelëve komunistë”. Nuk dallohej asnjë fije tensioni mes darkuesve, apo dilema nëse Fritz Von Shvabe ishte vërtetë ai që thoshte se ishte, apo një i panjohur që shtirej, apo më keq, një fantazmë. Për të mos folur për atë tis misteri që mbështjell veprën e Kadaresë e që veprës së Haxhirajt i mungonte. Pjesa e dytë, ajo që na sjell në vitet e diktaturës komuniste e që tenton të zbulojë mbi ngjarjen e ndodhur 10 vite më parë në shtëpinë e Doktor Gurametos, vjen më e organizuar, ndonëse është thjeshtëzuar në një proces hetimor. Ndonëse vepra ofron një mesazh të fortë, atë të shkëputjes prej së kaluarës, çka në të vërtetë nuk po ndodh në Shqipëri, ajo nuk të ofron emocione të forta, ato emocione që të përcjell një roman i Kadaresë.