E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm Vokrri

Fadil Vokrri nuk do të ketë kundërkandidatë në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. Ai me 57 nënshkrime të delegatëve është rikandiduar edhe për një mandat tjetër katërvjeçar. Kreu i FFK’së ndihet i nderuar me këtë, derisa thotë se kanë bërë arritje të shumta. Prioritet i Vokrrit mbetet ndërkombëtarizmi.

Fadil Vokrri do të jetë kandidati i vetëm për postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në Kuvendin Zgjedhor, i cili do të mbahet më 2 shkurt të vitit 2012.

Në fakt, të premten ishte afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave në shtëpinë e futbollit me më së paku 15 nënshkrime të delegatëve, për njerëzit që aspironin postin e kryetarit.

Mirëpo, Lidhjet Rajonale të Futbollit të Kosovës me 57 nënshkrime të delegatëve të Kuvendit të FFK-së - i cili gjithsej numëron 59 delegatë - e kanë rikandiduar Vokrrin edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.

Në këtë mënyrë, më nuk mbetën nënshkrime të mjaftueshme për t’i mbledhur ndonjë kundërkandidat i mundshëm i Vokrrit, me çka nënkuptohet se Fadil Vokrri zyrtarisht do ta fitojë edhe një tjetër mandat katërvjeçar më 2 shkurt.

“Kemi marrë iniciativën që Fadil Vokrrin ta rikandidojmë edhe për një mandat tjetër katërvjeçar. Prej 59 delegatëve, vetëm dy nënshkrime mungojnë. Gjitha Lidhjet Rajonale ishim unike në këtë proces dhe theksojmë se asnjë delegat nuk e ka pasur asnjë presion apo kërkesë për të nënshkruar. Të gjithë kanë nënshkruar me vetë dëshirë”, deklaroi para gazetarëve kryetari i Lidhjes Rajonale të Gjilanit, Xhelal Bajrami.

Ai në këtë konferencë ishte i shoqëruar edhe nga gjashtë kryetarët e Lidhjeve tjera Rajonale, të cilët thanë se kishin vendosur ta rikandidonin Vokrrin, pasi ishin të kënaqur me punën e tij të deritanishme.

Mirëpo, ata kërkuan nga Vokrri që në mandatin tjetër katërvjeçar të punojë akoma më tepër, si në procesin e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar, ashtu edhe në profesionalizimin e plotë të futbollit brenda kufijve të Kosovës.

Në anën tjetër, Fadil Vokrri ndihej i nderuar me përkrahjen që mori për t’u rikandiduar nga shumica absolute e delegatëve të Kuvendit. Ai tha se e ka merituar një përkrahje të tillë, pasi kujtoi se ka punuar shumë në favor të futbollit.

“Nuk po bëj fushatë, sepse në fund të fundit jam kandidati i vetëm. Por, sinqerisht kemi bërë shumë të arritura gjatë këtyre katër viteve. Por, pranoj se kemi bërë edhe lëshime. Ju e dini se vazhdimisht më shumë kemi diskutuar rreth minimizimit të atyre lëshimeve sesa rreth të arriturave”, deklaroi Vokrri.

“Kuvendet e rregullta të punës kanë treguar se me sa përgjegjësi kemi punuar gjatë këtyre katër viteve. Kemi bërë çmos që t’i ndihmojmë sa më shumë klubet tona, duke i liruar nga pagesa e kootizimeve, nga pagesa e personave zyrtarë, etj., ndërsa tani ua kemi mundësuar edhe të fitojnë para nga shitja e transmetimeve televizive të ndeshjeve. Ka pasur lëshime, por ato i kemi minimizuar dukshëm për dallim prej viteve të kaluara. Kemi bërë shumë edhe në procesin e ndërkombëtarizimit dhe ju them me përgjegjësi se ka qenë e pamundur të bëhej diçka më tepër”, ka theksuar Vokrri.

Kreu i futbollit kosovar është i vetëdijshëm se e pret një punë e madhe në mandatin tjetër, derisa theksoi se anëtarësimi i FFK-së në FIFA e UEFA do të jetë prioriteti i tij kryesor.

“E para është anëtarësimi në FIFA e UEFA. Me këtë ndërlidhen shumë çështje tjera, të cilat vetëm pas pranimit do të binin në binar. Mirëpo, do të punojmë shumë edhe brenda Kosovës. Do ta finalizojmë projektin e ndërtimit të gjashtë fushave të futbollit me bari sintetik”, vazhdoi Vokrri, duke theksuar se do të bëjë çmos për profesionalizimin e plotë të administratës së FFK-së.

Vokrri në fund ka thënë se është i bindur se shtëpia, të cilën e udhëheq, brenda katër viteve të ardhshme 100 për qind do të ndërkombëtarizohet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›