Masakrohet me thikë nga djali e gruaja
FIER/ MAJLINDA RAMA
Masakrohet me thikë në banesë, nga djali i tij 16- vjeçar dhe ish-bashkëshortja. Ngjarja e rëndë u zbulua pas dy ditësh nga krimi. Ylli Zeqja, 48 vjeç, banor i lagjes "Kastriot" në Fier, u gjet dje i masakruar me 8 plagë nga fqinjët e tij. Policia e Fierit arrestoi disa orë më pas djalin e viktimës A.Zeqaj, dhe nënën e tij, Luljeta Zeqaj. Nënë e bir dyshohet se janë autorët e vrasjes me thikë, ngjarje e cila sipas policisë ndodhi më 23 korrik. Burime të policisë së Fierit bënë të ditur se krimi i rëndë brenda familjes u zbulua pas hetimeve të kryera dhe gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes. Blutë nuk dhanë detaje në lidhje me dëshminë e dhënë nga të arrestuarit. Por, sipas burimeve nga grupi i hetimit, nënë e bir kanë pranuar akuzën e vrasjes. Paraprakisht dyshohet se ngjarja të ketë ndodhur për shkaqe ekonomike dhe konfliktet e vazhdueshme të çiftit, çka i kishte detyruar ata të divorcoheshin rreth një vit më parë. Fqinjët e viktimës lajmëruan policinë dje rreth orës 11:00. Ata nuk kishin parë asnjë lëvizje në banesën e tij, duke dyshuar se mund të kishte ngjarë diçka e rëndë. Menjëherë, sapo ka marrë njoftimin, policia e Fierit ka shkuar në vendin e ngjarjes. Dera, sipas policisë, ka qenë e mbyllur me çelës, ndërsa trupi i pajetë është gjetur i shtrirë për tokë, me shenja thike në trup. Policia tregon se shenjat kanë qenë të shumta në trupin e pajetë, fakt që e ka çuar grupin hetimor të dyshojë, se viktima është masakruar nga persona të tjerë. Në distancë nga vendi ku shtrihej trupi i pajetë i Zeqjas është gjetur edhe thika, me të cilën është kryer akti çnjerëzor. Policia ka arritur të mbledhë çdo shenjë të mundshme nga vendi i ngjarjes, ku më kryesore ishin shenjat e gishtërinjve te mjeti prerës. Sipas grupit hetimor, banorët e pallatit e shihnin përherë tek dilte nga shtëpia Zeqjan dhe qëndrimi në shtëpi për 2 ditë me radhë i tij ka ngjallur dyshimet. Në shtëpi nuk është konstatuar ndonjë rrëmujë, që të mendohej se viktima mund të ketë pasur përleshje apo të jetë sulmuar. Madje, fqinjët kanë pohuar se nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë nga shtëpia e tij. Trupi i pajetë është shoqëruar për në morgun e spitalit, për t'iu nënshtruar edhe analizës nga ekspertët e kriminalistikës. Në një komunikim për mediat, policia e qarkut Fier bëri të ditur se plagët e thikës në trup rezultojnë të jenë shkaktuar që prej dy ditësh, kohë në të cilën ka ndodhur dhe vrasja e 48-vjeçarit. Policia shoqëroi gjatë të gjithë ditës persona të ndryshëm, të cilët dyshohej se mund të kishin dijeni. Një ndër të dyshuarit ishte edhe bashkëshortja e 48-vjeçarit, me të cilën ishte divorcuar për shkak të konflikteve të vazhdueshme brenda familjes. Ajo u arrestua bashkë me djalin e saj 16-vjeçar, pasi ata i pohuan policisë, gjatë marrjes në pyetje, se ishin autorë të krimit. Ylli Zeqja ishte babai i dy fëmijëve. Fëmijët, të cilët ishin përkatësisht 16 dhe 25 vjeç, jetonin herë me babain dhe herë me nënën, ndërsa kohët e fundit ata ishin tek e ëma. Sipas fqinjëve, viktima ishte njeri i rregullt dhe asnjëherë nuk kishte shfaqur probleme. Prej vitesh merrej me punë të ndryshme.