Vetëm një Falcao

Epiteti i Radamel Falcaos si njëri prej sulmuesve më të kërkuar në botë u konfirmua të premten mbrëma kur ai realizoi het-trik në fitoren e Atletico Madridit ndaj Chelseat me rezultat 4-1 në Superkupën e Evropës. Por, klubi madrilen insistoi se kolumbiani nuk do të largohet nga Vicente Calderon.
Falcao, i njohur me nofkën ‘Tigri’, shënoi tri herë në pjesën e parë kundër kampionit të Evropës si dhe qëlloi tri herë kornizën derisa fituesi i Europa League dominoi përballjen në Monaco. “Është vetëm një Falcao dhe ai është i yni”, deklaroi aksionari kryesor i Atleticos, Miguel Angel Gil për një televizion spanjoll.
“Ai është futbollist i shkëlqyeshëm ekipor. Ne do të luftojmë ta mbajmë atë”, shtoi ai. Atletico shpenzoi 40 milionë euro për blerjen e sulmuesit nga Porto vitin e kaluar pasi ai kishte realizuar 17 gola duke udhëhequr skuadrën portugeze drejt triumfit në finalen e Europa League 2011.
Ai shpejt shpagoi besimin. I transferuar për të zëvendësuar Sergio Agueron dhe Diego Forlanin, Falcao shënoi 12 herë duke i ndihmuar Atleticos të rrëmbejë trofeun e Europa League pas finales kundër Athletic Bilbaos, ku realizoi dy herë. Ai po ashtu shënoi 24 gola në La Liga. Falcao e vazhdoi edicionin e ri aty ku e la të vjetrin, duke shënuar het-trik kundër Bilbaos në ligë të hënën.
“Kam ëndërruar të realizojë kaq gola. E falenderoj Zotin për mundësinë”, deklaroi Falcao pas takimit. “Zhvilluam një ndeshje të mirë dhe jemi të lumtur. Ne duhet të punojmë për të vazhduar me këtë ritëm. E dinim se duhej të fillonim me intensitet të lartë nga minuta e parë dhe u treguam efikas në rastet që na u krijuan”, shtoi ai.
I pyetur rreth të ardhmes së tij me Atleticon, Falcao tha: “Nuk e di se qka do të ndodhë në të ardhmen. E di se disa klube ishin të interesuara për transferimin tim gjatë kësaj vere por Atletico bëri përpjekje të mëdha për të më mbajtur dhe jam i lumtur, ky ishte shpagimi”. Me mbylljen e afatit kalimtar të verës, Atletico, që sikurse shumë klube tjera spanjolle është e zhytur në borxhe vendosi të mbajë Falcaon, duke ruajtur ‘gurim më të qmueshëm’ për sezonin e ri.
Menaxheri i Chelseat, Roberto Di Matteo tha se shanset e skuadrës së tij u prishën nga dy golat e parë të Falcaos pas 19 minutave lojë. “Ne asnjëherë nuk ishim në ndeshje dhe pranuam dy gola të hershëm”, tha italiani në konferencë për shtyp. “Ne i mundësuam atyre shumë hapësirë dhe e shihni se qka ndodhë kur i lini shumë hapësirë një futbollisti si Falcao. Ai është një prej sulmuesve më të mirë në futbollin evropian dhe goli i tij i dytë ishte një goditje mjeshtërore. Por, fakti se nuk ishim asnjëherë në ndeshje është gjëja më dëshpëruese”, përfundoi Di Matteo.