Vetëm një kompani në garë për blerjen e PTK-së

(E plotësuar)Pas pak orëve do të hapen ofertat e kompanive që kanë shprehur gatishmërinë për të ofertuar për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
KTV-ja ka raportuar se vetëm një kompani ka konkurruar për blerjen e PTK-së.
Këshilltari në MZHE, Gëzim Bazhaku, nuk pranon të tregojë për Indeksonline se sa kompani kanë ofertuar.
Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë thënë se nuk do të bëhen publike shumat e ofruara nga kompanitë ofertuesae, por vetëm emrat e kompanive që kanë ofertuar. Ata kanë thënë se po presin që numri i kompanive ofertuese të arrijë deri në 4, kurse oferta financiare pritet të bëhet publike pas afro 10 ditëve.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se në rast të mosshitjes së këtyre aksioneve, atëherë vihet në pikëpyetje ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup. Kundër privatizimit të kësaj ndërmarrjeje është Sindikata e PTK-së, e cila i ka bërë thirrje ministrit Beqaj për ta anuluar tërë procesin.
---
Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka vendosur sot që kompanive të përfshira në procesin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së, t’u japë kohë shtesë për dorëzimin e ofertave të tyre deri me datë 3 prill 2013.
Sipas një njoftimi, kjo shtyrje e afatit vjen si rezultat i pengesave teknike me të cilat janë ballafaquar kompanitë e parakualifikuara në këtë proces, përkundër faktit që çdo gjë ka qenë e gatshme në mënyrë që ky proces të zhvillohet konform dokumenteve tenderuese.
Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe dhe kompleksitetin e projektit të privatizimit të kësaj ndërmarrje të rëndësishme publike, thuhet më tej në njoftim, KQP bazuar në këshillat e këshilltarëve të transaksionit, konsideron që shtyrja 2 javore e procesit është në të mirë të rritjes së konkurrencës dhe realizimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
KQP siguron të gjithë qytetarët e Kosovës, se procesi i privatizimit i kësaj ndërmarrje të rëndësishme publike është duke u zhvilluar në harmoni të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare për transaksione të tilla.
---
Ka dështuar shitja e PTK-së. Ndërsa, Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka vendosur sot që kompanive të përfshira në procesin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së, t’iu japë kohë shtesë për dorëzimin e ofertave të tyre deri më 3 prill.
Sipas burimeve jo zyrtare bëhet e ditur se nga katër ofertues që ishin kualifikuar, në ditën e hapjes së ofertave (sot) ishte vetëm një ofertë.
“Kjo shtyrje e afatit vjen si rezultat i pengesave teknike, me të cilat janë ballafaquar kompanitë e parakualifikuara në këtë proces, përkundër faktit që çdo gjë ka qenë e gatshme që procesi të zhvillohet konform dokumenteve tenderuese”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik.
Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së konsideron se shtyrja 2-javore e procesit është “në të mirë të rritjes së konkurrencës dhe realizimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm për ekonominë e vendit”. /Indeksonline/