Mbi 300 objekte të larta në Pejë presin legalizimin

Mbi 300 objekte të evidencuara si të ndërtuara pa leje, në kundërshtim me planin rregullues urban, në Komunën e Pejës janë në pritje të legalizimeve nga autoritetet komunale. Kjo e fundit deri tashti është arsyetuar me mosmiratimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i miratuar dy ditë më parë nga legjislativi kosovar.
Ndërkohë, për shkelësit e planeve rregulluese urbane do të ndërmerren masa adekuate deri në rrënime, ndonëse Inspektorati i ndërtimit është treguar i pafuqishëm në këtë drejtim, përballë të fuqishmëve të ndërtimit që kanë degraduar pamjen e qytetit.
Ahmet Mahmutaj, drejtor i Urbanizmit, është i bindur se me hyrjen në fuqi të ligjit mbi trajtimin e ndërtimeve pa leje do të jetë fundi i ndërtimeve pa leje, ndonëse ka pranuar se më tutje edhe do të ruhet plani rregullues urban, i cili është shkelur në vazhdimësi.
Ai ka thënë se do të veprohet në harmoni me planet rregulluese dhe secili ndërtim do të jetë në harmoni me planet. Në këtë rast, sipas tij edhe do të ketë edhe rrënime.
“Do të bëhet ky regjistrim dhe në harmoni me planin rregullues, do të legalizohen ato ndërtime që janë në harmoni, e do të rrënohen ato që nuk kanë pasur leje ndërtimi ”, ka thënë Mahmutaj, duke shtuar se dekretimi i këtij ligji edhe do të jetë zgjidhje e përhershme dhe fundi i tejkalimit të planit rregullues urban.
Pavarësisht prej këtij ligji, komuna ka parashtruar disa kushte për ndërtuesit e objekteve banesore. Ndonëse jo me ndonjë vendim të KK-së, komuna ka kërkuar që objektet banesore të krijojnë 50 për qind të hapësirës tokësore aq sa është edhe ndërtimi i lartë për t’i legalizuar. Galdim Krasniqi, drejtor i Inspektoratit komunal, ka thënë se u është bërë kërkesë operatorëve ndërtues për harmonizim të ndërtimeve me hapësirat përreth objekteve në mënyrë që të legalizohen. Ai ka thënë se për vitin 2012 nuk ka tejkalime të etazhitetit, por janë diku rreth 18 objekte të tjera shumica individuale që nuk iu kanë nënshtruar planeve rregulluese.
“Si inspektorat u kemi bërë kërkesë të gjithë operatorëve ndërtues për harmonizim të hapësirave me objekte. Ka objekte që nuk e kanë përfillur lejen e ndërtimit në lidhje me etazhitetin, i kemi dy objekte që i kanë tejkaluar, ndërsa për 18 objekte që nuk iu kanë nënshtruar planeve rregulluese ”, ka deklaruar Krasniqi.
Gazmend Muhaxheri, kryetar i Degës së LDK-së, dhe ish-drejtor i Urbanizmit, ka thënë se për ngritjen e objekteve të larta pa leje, fajin e ka Inspektorati komunal. Ai madje ka thënë se ka ikje të përgjegjësisë të zyrtarëve të lartë të Komunës.
“Ka objekte që kanë tejkaluar madje edhe për katër kate planin rregullues urban. Atyre nuk i është dhënë leje ndërtimi. Por është dashur që Inspektorati t’i mbikëqyrë këta dhe të ndërmarrë hapa të duhur për ndërprerje të punimeve apo edhe rrënime. Ka ikje nga përgjegjësia edhe të zyrtarëve të lartë të Komunës”, ka thënë Muhaxheri. Ai ka kritikuar edhe mënyrën e licencimit të kompanive ndërtuese, ku ka thënë se u është lënë në dorë interesi ekskluzivisht të ndërtuesve për të rritur sa më shumë metra katrorë për përfitime individuale./Indeksonline/