Një anglez zhduket në periferi të Shëngjinit
Në kërkime intensive dhe gjetjen e të afërmve të tyre është shndërruar nata e së shtunës së kaluar në “Njerëz të humbur”, në “Vizion plus”. Gjetja e nënës së Majlinda Hasajt, kontakti i Kozma Tabakut me djalin e tij, Renaton, pas 15 vitesh, si dhe dilema e vendndodhjes së djalit 22-vjeçar Avni Biçaku, të zhdukur në qytetin e Fushë-Krujës, ishte boshti i zhvillimit të ngjarjeve. Shumë nga lexuesit e mbajnë mend disa javë më parë momentin kur një djalë me banim në Itali refuzoi të fliste me babain e tij. Në thirrjen e bërë ndaj Renatos, Kozmai i kërkoi falje publike djalit për të gjitha gabimet e bëra. Teksa dëgjonte leximin e e-mailit, Kozmai kapërdihej nga sikleti i refuzimit të dashurisë së të birit. Në fund të programit, ai u largua me përgjigjen e ftohtë dhe të acartë të djalit, i bindur se tashmë e kishte humbur përgjithmonë atë. Orët kalonin, ditët po ashtu, por nuk kalon shumë kohë kur në celularin e babait bie një numër i panjohur. Kozmai nuk kishte për ta besuar kurrë që nga ana tjetër e telefonit do të ishte djali i tij. Biseda kishte vijuar me minuta të tëra si mënyra e vetme për të plotësuar boshllëkun e krijuar prej vitesh mes tyre. Ata kishin shkëmbyer foto dhe ishin të përmalluar teksa shikonin njëri-tjetrin tashmë të ndryshuar. Të gjitha emocionet e këtyre bisedave u transmetuan të shtunën në mbrëmje në një lidhje direkte telefonike të realizuar mes Aida Shtinos dhe Kozma Tabakut. – “U desh publikimi i rastit që Renato të fliste me mua”, - citoi më tej Kozmai. Në fund të muajit prill të këtij viti, Renato do të vijë në Shqipëri dhe vizitën e parë do ta kryejë te babai i tij. Një dashuri e harruar dhe një fund i lumtur pas 33 vjetësh. E shtuna mbrëma në “Vizion plus” përcolli emocione pa fund në emisionin “Njerëz të humbur”, të drejtuar nga Aida Shtino. Zëri kryesor në këtë mbrëmje surprizash ishte rubrika “Ironi fati”, e cila përcolli dhe prezantoi për të disatën herë histori fëmijësh të braktisur dikur në hapat e jetës së tyre. Mes këtyre vajzave qëndronte e ulur në publik edhe një vajzë tjetër e quajtur Majlinda Hasaj. 33-vjeçarja Hasaj lindi më 8 prill të vitit 1975 në Maternitetin e Tiranës. Majlinda ka mbaruar shkollën 8-vjeçare në Shkodër dhe ndonëse në moshë ende të mitur ajo filloi punë në një firmë. Aktualisht punon në një kompani italiane. Majlinda nuk pati asnjëherë fatin të birësohej nga prindër e të kishte një familje me dashurinë e dy prindërve. Majlinda erdhi në “Njerëz të humbur” për të kërkuar nënën e saj biologjike. Pas dy javë kërkimesh, stafi i “Njerëz të humbur” arriti të gjejë nënën e Majlindës larg kufijve shqiptarë, në Itali. Përmes një lidhjeje telefonike, Majlinda arriti të flasë me të ëmën ndonëse emocionet e bllokuan së tepërmi. 33-vjeçarja nuk mundi ta përmbante dot veten pasi dëgjoi emocionet e së ëmës. Nënë e bijë i premtuan njëra-tjetrës se do të bashkoheshin një ditë të afërme. Që prej 7 vitesh, pazari i vjetër i Krujës mban me vete një mister. Në një ditë krejtësisht të zakonshme, Avni Biçaku do të dilte nga shtëpia për të blerë disa gjëra për veten e tij. Por dita e 20 nëntorit të vitit 2001 zor se mund të harrohet nga të afërmit e Avniut. Orët kalonin, nata kishte zbritur mbi qytet dhe ai nuk ishte dukur asgjëkund. Gjithçka çfarë ata dinin ishte se në momentet para largimit ai mbante të veshur xhinse e këpucë të zeza, si dhe një pulovër ngjyrë gri. Publikimi në “Njerëz të humbur” nxori në pah një pistë të re kërkimi që zakonisht nuk para ndodh: gjurmët e djalit po dilnin brenda territorit shqiptar megjithëse në një vend në kufi me shtetin helen. Telefonues të ndryshëm kanë dhënë informacion për një fshat në afërsi të Greqisë ku Avni Biçaku ka disa vite që jeton. Shpresa dhe ankthi i familjes, të pranishëm në studion e emisionit në Vizon Plus, është rritur akoma më shumë. Askujt nuk do t’ia merrte mendja që gjurmët e tij do të dilnin brenda Shqipërisë, vetëm nëse ai do të gjendej pa jetë. Por informacionet thonë pikërisht se djali mund të jetë gjallë dhe jeton në një fshat jugor. Ajo çfarë të bën më shumë përshtypje është se pse do të zgjidhte djali të jetonte kaq afër prindërve dhe aq larg zemrave të tyre, pasi ata që prej 7 vitesh nuk kanë asnjë shenjë jetë të tij. Sonte në “Njerëz të humbur” do të ndiqni: Del për të pirë një kafe, por nuk kthehet më në shtëpi. Alarmi për zhdukjen e djalit 21-vjeçar nga Anglia, Edward Craythorne, vjen nga familja e tij me banim prej dy vitesh në Shëngjin. Amaneti i një 31-vjeçari, i cili nuk arriti t`i mbijetojë luftës kundër leuçemisë, ka detyruar prindërit e tij të kërkojnë në “Njerëz të humbur” vajzën e vogël, të cilën nuk e ka parë asnjëherë. “Dritë në tunel” në Greqi nga Angjeliki Nikoluli dhe “Njerëz të humbur” në Shqipëri nga Aida Shtino në lidhje direkte në kërkim të vajzës shqiptare Manushaqe Metollari të humbur në Greqi në rrethana misterioze. Hije dyshimi për fatin e saj. Këtë javë dëshmi ekskluzive nga persona të afërt të Manushaqes. Mos humbisni për asnjë arsye “Njerëz të humbur” sonte, në orën 21:00, në “Vizion plus”.
16 Shkurt 2008