E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditjet pa dhimbje, më të rrezikshme për zemrën

Mjekët shpjegojnë si ndodhin këto goditje dhe pasojat

Goditjet pa dhimbje janë më të rrezikshme për zemrën. Nga mesi i muajit të kaluar pasi ishte kthyer nga një udhëtim pune, gazetari i njohur amerikan Tim Rasërt vdiq në zyrën e tij. Shkaku ishte një sëmundje e papritur në arteriet e zemrës. Studimet kanë treguar se ndonjëherë këto goditje pa dhimbje në zemër, janë shpesh më të rrezikshme sesa ato me dhimbje të cilat mund të dallohen dhe trajtohen. Gjithashtu studimet tregojnë për një shtim të rasteve të kësaj sëmundjeje edhe në vendet në zhvillim. Sëmundjet koronare, janë sëmundje të arterieve që furnizojnë zemrën me gjak dhe që mund të shkaktojnë vdekje të papritur. Mundësia e vdekjes nga një sëmundje e tillë, pa shenja paralajmëruese, në fakt është e frikshme. Kardiologu Peter Libi thotë se kjo sëmundje godet papritur dhe prek rreth 50 për qind të burrave dhe 65 për qind të grave. Ajo shfaqet me një goditje të vogël në zemër, pa dhimbje, dhe kjo shpesh mund të jetë shenja e parë dhe e fundit.
Mjekët
Mjekët përllogarisimin se thuajse gjysma e atyre që provojnë një goditje të tillë në zemër nuk e dinë se e kanë pësuar atë. Kjo për arsye se zemra nuk ndjen dhimbje. Dhimbja që njerëzit ndjejnë gjatë një goditje të zakonshme në zemër ndodh kur fijet nervore të zemrës përplasen ose ndërthuren me fijet nervore të krahut, gjoksit ose shtyllës kurrizore. Pacientët në këto raste mund t’iu nënshtrohen analizave të stresit dhe skanimeve dhe mjekët madje mund të fusin kamera shumë të vogla nëpër arteriet e gjakut për të parë nëse në to është depozituar kolesterinë ose në se arteriet janë ngushtuar. Doktor Daniel Rader, i specializuar për sëmundjet kardio-vaskulare thotë se këto analiza janë shumë të dobishme për parandalimin e bllokimit të arterieve, por megjithatë shumica e goditjeve në zemër, sidomos ato pa dhimbje, nuk ndodhim kështu. Në fakt ato ndodhin kur një pjesës e vogël gjaku i mpiksur a kolesterinë pëllcet ose fryhet menjëherë, njësoj si misrat kokoshkë. Ky shpërthim i menjëhershëm mund të shkaktojë brenda pak sekondash bllokimin e rrjedhës së gjakut në zemër. Rezultati është vdekja e papritur. Kjo është arsyeja që masat parandaluese janë të domosdoshme dhe shoqata amerikane kundër sëmundjeve të zemrës rekomandon disa hapa të thjeshtë që janë: Mospirje duhani, dietë të shëndetshme, mbajtja e peshës trupore, kolesterinës nën kontroll dhe të paktën 30 minuta ushtrime fizike në ditë edhe në qoftëse ato kryehen me ndërprerje brenda një intervali 10 minutash.
Shumë amerikanë i kanë ndjekur këto udhëzime dhe gjatë 20 vjetëve të fundit numri i vdekjeve nga sëmundjet e zemrës në Shtetet e Bashkuara është pakësuar 25 përqind.
Ushqimi
Mbi 25 për qind të njerëzve që vdesin nga sulmi në zemër, nuk kanë simptoma paralajmëruese, siç është dhimbja e gjoksit. Nuk mund të mbështetemi në mendimin se, “Nëse kam sulm në zemër, mjekët do të më shpëtojnë dhe do të më japin barna, sepse disa njerëz nuk arrijnë në spital, vdesin në shtëpi”. Për këtë arsye, parandalimi duhet të fillojë herët. Infarktet në zemër ndodhin kur një ose më shumë arterie të zemrës bllokohen, duke zvogëluar ose ndërprerë rrjedhën e gjakut që të arrijë në një pjesë të caktuar të muskulit të zemrës. Ato zakonisht paraprihen nga formacionet e depozitimit të yndyrave ose pllakave yndyrore brenda murit të arterieve, duke bërë që të formohen mpiksjet e gjakut (trombët), të cilat e mbyllin arterien. Nëse furnizimi me gjak ndërpritet disa minuta, pason vdekja. Një prej veprimeve që duhet të bëni për ta parandaluar sulmin në zemër është ndryshimi i ushqimit.
Duhet të merrni të gjitha ushqimet, por dominues duhet të jetë ushqimi vegjetarian, i përbërë nga frutat dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë vitamina dhe minerale. Merrni një lugë vaj ulliri në ditë bashkë me sallatë dhe përdorni më shpesh mishin e peshkut, i cili përmban acide të shumta yndyrore omega-3, që zvogëlojnë kolesterolin dhe si rrjedhojë, edhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare.
Disa vezë në javë nuk janë të ndaluara. Edhe mishi lejohet, por pa dhjam dhe në sasi më të vogël. Po ashtu mund të merren në sasi jo të tepërt edhe arrat, bajamet, lajthitë dhe shqemet, por në kokrra të plota. Kontrollimi i porcionit do të ndihmojë që të keni në dorë peshën tuaj. Kur të gatuani mos hidhni gjysmën e orizit në tenxhere, por duhet ta matni atë. Shmangni lëngjet e ftohta dhe ushqimet e kripura. Nëse mund të braktisni disa kafshime, keni krijuar barrierë ndërmjet jush edhe ushqimit.
Diabeti
Ekspertë të shëndetësisë paralajmërojnë se sëmundja e diabetit po vjen duke u përhapur dhe kjo prirje mund të ndryshohet vetëm në se rreziku që e shkakton atë, si mbipesha dhe plogështia fizike, njihen nga të gjithë.
Diabeti po përhapet me shpejtësi, thonë ekspertët amerikanë të shëndetësisë. Sot, tetë përqind e amerikanëve vuajnë nga diabeti, ndërsa më 1960 kjo shifër ishte katër përqind. Rastet e të sëmurëve me diabet po shtohen me shpejtësi edhe në vende të tjera. Sipas Federatës Ndërkombëtare Kundër Diabetit, në mbarë botën ka 246 milionë të prekur nga diabeti dhe ky numër pritet të arrijë në 380 milionë në vitin 2025. Të njëjtat burime thonë se 80 për qind e njerëzve me diabet të tipit 2, jetojnë në vendet në zhvillim. Ky lloj diabeti është vdekjeprurës dhe numri i të vdekurve nga kjo sëmundje sot në botë është i barabartë me numrin e të vdekurve nga virusi HIV e Sida. Në Shtetet e Bashkuara, ekspertët thonë se diagnostikimi i hershëm i diabetit, ka bërë që numri i vdekjeve nga kjo sëmundje në Amerikë të pakësohet. Ekspertë të shëndetësisë paralajmërojnë gjithashtu se rreziqet që e shkaktojnë diabetin, si mbipesha dhe plogështia fizike, duhet të njihen nga të gjithë, në mënyrë që rastet e diabetit të shkojnë drejt pakësimit.

Këshillat

Mos pini duhan

Mbani një dietë të shëndetshme

Mbani në kontroll peshën trupore

Mbani në kontroll nivelin e kolesterinës

Bëni të paktën 30 minuta ushtrime fizike në ditë

Të rejat nga shkenca
Studimi, “Kolesteroli i mire” mbron nga harresa
Studimet e shkencëtarëve britanikë dhe francezë sugjerojnë se zvogëlimi i nivelit të të ashtuquajturit “kolesteroi i mire” në gjak, rrit rrezikun për 53 për qind paraqitjen e demencës (harresës). Dihet se niveli i lartë i HDL-kolesterolit (“kolesteroli i mirë”) pengon formimin e mbishtresave në enët e gjakut, të cilat po të formohen kanë ndikim negativ në qarkullimin e gjakut. Studimet e fundit kanë treguar se HDL-kolesteroli, pengon edhe formimin e shtresave amiloide në tru (pllakat senile), të cilat paraqesin karakteristikën kryesore te sëmundja Alzheimer (demenca senile). Demenca paraqet humbjen e shumicës së funksioneve psikike, në radhë të parë atyre intelektuale dhe të kujtesës, me këtë rast personaliteti pëson ndryshim të madh.

10 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›