Veteranët-Presidentit: Mos firmos dekretin për kolaboracionistët e luftës
Drejtuesit e organizatës së Veteranëve të Luftës Nacional- Çlirimtare dhe familjet e dëshmorëve të kësaj lufte në qytetin e Sarandës kanë protestuar në mënyrë energjike kundër miratimit në parlament të ligjit për shpërblimin e kolaboracionisteve, bashkëpunëtorëve të nazifashizmit dhe diversantëve e sabotatoreve të pasluftës. Peticioni i drejtuar presidentit, kryeministrit dhe kryetares së parlamentit iu kërkojnë atyre të ndërrojnë qëndrim për të mos fyer ish- luftëtarët, pjesëmarrës në luftën Nacional Çlirimtare dhe atyre që u vranë nga bashkëpunëtorët dhe pushtuesit në Luftën e Dytë Botërore.
Sekretari i kësaj organizate, Namik Cani e quan ngjarje të rëndë, ditën kur Kuvendi i Shqipërisë dhe deputetë të veçantë kërkuan që kriminelë të rreshtuar në krah të fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë, të nderohen dhe të shpërblehen për krimet ndaj vendit të vet. Kam qenë vetëm 6 vjeç, kur këta njerëz të shitur tek pushtuesi dhe të mbrojtur e urdhëruar prej tyre, më vranë babain, i cili nderohet me titullin e lartë Dëshmor i Atdheut. Nuk do ta pranoja kurrë që krahas babait tim të nderohej edhe vrasësi i tij, të cilin e njoh me emër e mbiemër, ka theksuar ai. Organizata e Veteranëve të LANÇ e rajonit të Sarandës, së bashku me organizatën e familjeve të dëshmorëve numëron në gjirin e saj një numër jo të vogël anëtarësh dhe është një nga organizatat më aktive në rang vendi. Sipas kryetarit Sadik Mamuci, nëse me të vërtetë presidenti e konsideron veten njeriun e unitetit të popullit, nuk ka pse e dekreton ligjin që në thelb kërkon të përçajë këtë popull. Zgjedhja jonë është bërë që në kohën e luftës, kur u rreshtuam në krah të SHBA, Anglisë dhe forcave çlirimtare të vendeve të tyre, ndërsa kundërshtarët tanë zgjodhën tradhtinë, spiunimin, krimin dhe diversionin ndaj nesh, ka theksuar ai. Ndërsa drejtuesit e organizatës së Veteranëve, theksojnë se presidenti ka ditur që edhe në raste të tjera të dalë mbi urdhrat e partisë, ndaj ata shprehen për besimin se peticioni i tyre do të merret në konsideratë.